Përfaqësues të Listës Serbe, të prirë nga kryetari i saj, Zlatan Elek, kanë takuar të enjten shefin e ri të zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav, të cilit u janë ankuar për veprimet e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, duke thënë se gjoja se ka për qëllim “dëbimin” e serbëve nga Kosova.
Në një njoftim për media, nga partia që dirigjohet nga Beogradi zyrtar kanë theksuar se në takim u prezantua “pozita e vështirë e popullit serb”, i cili, siç pretendojnë ata, “çdo ditë vuan nga represioni i regjimit të Albin Kurtit, qëllimi i dukshëm i të cilit është dëbimi i popullit serb nga këto vise”.
“U theksua se dhuna institucionale ushtrohet edhe ndaj rinisë serbe, dhe se veprimet e inskenuara politike kundër të perceptuarve serbë janë bërë mjet për bullizëm dhe presion ndaj gjithë shoqërisë serbe”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesit e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kanë kërkuar përfshirje më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, “deeskalim të situatës në Veri dhe veprime konkrete të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e popullit serb”.
“Çelësi i problemeve të serbëve qëndron në respektimin e të drejtave të popullit tonë, por edhe të marrëveshjeve të nënshkruara, garantues i të cilave është Bashkimi Evropian”, theksohet.
Sipas tyre, formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe “është vonuar për më shumë se 11 vjet” dhe se kjo, pretendojnë nga kjo parti, “është shkaku i shumë problemeve me të cilat ballafaqohemi sot në Kosovë”.
Po ashtu, përfaqësuesit e partisë që dirigjohet nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë kërkuar që BE-ja “të marrë një qëndrim të qartë në dënimin e sjelljes së regjimit në Prishtinë”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Krijohet Komiteti i Përbashkët Konsultativ, Rama në Bruksel: Po avokojmë të kemi edhe ekipin tonë në PE
-
Röpke: Nuk mund të zhgënjejmë aspiratat e qytetarëve shqiptarë
-
Hezbollahu pezullohet mes poshtërimit dhe dëshirës për hakmarrje, por nuk do luftë
-
Osmani në SHBA, pjesë e Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së