Kosova

Ambasadori i Serbisë në Podgoricë “zbulon” kërkesat e paralajmëruara të Vuçiçit për “zgjidhjen e krizës” në veri të Kosovës


Andrija Mandiç dhe Nebojsha Rodiç

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiç, një serb etnik me lidhje të ngushta me Rusinë, ka takuar ambasadorin e Serbisë në Podgoricë, Nebojsha Rodiç, ku në fokus të diskutimeve, në bazë të një komunikate për shtyp, ka qenë situata në Kosovë, përkatësisht kërkesat e Serbisë për “zgjidhjen e krizës” në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me shumicë serbe.

komunikatën e Kuvendit të Malit të Zi është thënë se ambasadori serb ka informuar kryetarin e kuvendit malazez me qëndrimin zyrtar të Serbisë, pak ditë pas paralajmërimit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ka thënë të martën se do t’i prezantojë kërkesat e shtetit serb në 72 orët e ardhshme. E disa prej kërkesave i ka “zbuluar” diplomati serb në Podgoricë.

“Të organizohen sa më shpejt zgjedhjet e lira në komunat në veri të Kosovës, ku pushtetin tash e ushtrojnë individë që nuk kanë bazë në vullnetin e qytetarëve të atyre komunave; të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe; të lirohen të gjithë personat e burgosur për arsye politike; të largohet bllokada për importin e produkteve nga Serbisë në Kosovë”.

Presidenti i Serbisë ka njoftuar më herët se do t’i adresohet popullit serb në 72 orët e ardhshme lidhur me kërkesat e Serbisë pas “sulmeve brutale mbi popullin serb” në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse ai nuk ka specifikuar se për çfarë bëhet fjalë. Ai ka thënë se do t’i adresohet publikut për të gjitha kërkesat që, sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur.

“Do të kemi shumë takime të rëndësishme, duhet të luftojmë për pozitën e Serbisë në botë, duhet të kërkojmë aleatë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur… sepse tani është plotësisht e qartë se Kurti dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb dhe mendoj se kjo nuk është e qartë vetëm për ne, por edhe për të gjithë të tjerët”, ka shtuar ndër të tjera Vuçiç.

Megjithatë, nuk është ofruar asnjë provë konkrete deri më tash, as nga zyrtarët serbë në Beograd, as nga organizatat ndërkombëtare dhe misionet diplomatike në Prishtinë, rreth pretendimeve të Serbisë për “pogromin, dhunën sistematike dhe spastrimin etnik” ndaj komunitetit serb në Kosovë.

Vuçiç paralajmëron “masa serioze në 72 orët e ardhshme” pas takimit me Lajçakun

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore