Kosova

Osmani: Rusia dëshiron të hapë një front të ri në Ballkanin Perëndimor


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Rusia, pas agresionit në Ukrainë, dëshiron që të hapë një front të ri kundër Perëndimit, përmes destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

Këto komente, Osmani i ka bërë në një intervistë për median polake “TVP World”, derisa ka potencuar se e ardhja e rajonit është në Bashkimin Evropian.

“Rusia dhe [Presidenti i saj, Vladimir] Putin duan të hapin një front të ri kundër Perëndimit duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani.

Dhe për këtë arsye, Osmani vlerëson se është thelbësore që Kosova të punojë krah për krah me aleatët, me partnerët nga bota demokratike, “për t’u siguruar që ne të ndalojmë këto nisma destabilizuese nga Serbia, të ndihmuara dhe të nxitura nga Rusia”.

“Unë besoj se ka shpresë për një Ballkan Perëndimor që përfundimisht të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, vazhdoi ajo.

Por, shton se parakushti për të arritur rezultate të tilla është trajtimi i Serbisë për atë që është; “një shtet satelit i Rusisë, i cili vetëm sa po rrit bashkëpunimin ushtarak, ekonomik dhe politik me Rusinë”.

Për nga vijnë tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e para vendit ka pasur vetëm një adresë: Beogradin zyrtar.

“Nuk është se Kosova dhe Serbia po kontribuojnë në tensione. Ka një vend që është Serbia që është kthyer në shtetin më të fortë të Putin-it në Evropë. Dhe pastaj është Kosova dhe vendet e tjera në rajon që janë vazhdimisht viktima të akteve të agresionit nga Serbia”, deklaroi ajo ndër të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore