Kosova

Hoti: Kosova s’ka siguri energjetike, është për keqardhje


Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova nuk ka siguri energjetike.

Këto komente, Hoti i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti, në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), të martën.

“Në vitin e katërt të mandatit, do të duhej të promovohej termocentrali me gaz. Por, në vend të këtij projekti, Kryeministri e Ministrja e Ekonomisë vizitojnë KEK-un dhe krenohen me remontin e blloqeve në përgatitje për dimrin që po vjen”, shkroi Hoti.

Kjo, sipas ish-kryeministrit, është “për keqardhje”, pasi që ka theksuar se “pas katër vitesh në pushtet, asnjë projekt madhor nuk ka nisur”.

“Nuk janë kryer as projektet e nisura nga qeveria e kaluar”, shtoi ai, derisa rikujtoi edhe një premtim të koalicionit qeverisës, i cili – si shumë të tjerë – nuk është realizuar.

“Premtimi që VV-Guxo u kanë dhënë qytetarëve më 14 shkurt 2021 ka qenë: ‘Furnizim me energji të vazhdueshme dhe të përballueshme’. Ky premtim, sikurse të gjitha premtimet e tjera, është shkelur pasi kapacitetet energjetike nuk janë rritur”.

Sot, potencoi Hoti, Kosova nuk ka siguri energjetike, “pra nuk ka energji të vazhdueshme”.

“Çmimi i energjisë është rritur dy herë në këtë mandat, por jo pagat dhe të ardhurat e tjera, duke e shkelur kështu premtimin për energji të përballueshme”, përfundoi.

“Jetik për ekonominë e Kosovës”, thotë Kurti për KEK-un

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore