Kosova

Kurti vendos gurthemelin e një stacioni të ri policor në Veri


Albin Kurti duke vendosur gurthemelin e stacionit te ri policor ne Leshak te Leposaviqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur këtë të martë gurthemelin e një stacioni të ri policor në fshatin Leshak të Leposaviqit.

Në vënien e gurthemelit, Kurti ka qenë i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Siç shihet nga pamjet që ka publikuar “KosovoOnline”, kryeministri nuk është prononcuar fare për media pasi ka vendosur gurthemelin.

Stacioni i ri i policisë në Leshak do të ndërtohet në vendin e atij të vjetrit, ku tanimë edhe kanë filluar punimet për shembjen e tij.

Edhe më 2 gusht Kurti me Sveçlën kishin marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së një stacioni policor në Soçanicë, afër Leposaviqit.

Ata kishin qenë të shoqëruar nga Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Në ceremoninë e inaugurimit të stacionit të ri policor në afërsi të Leposaviqit kishte qenë edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore