Kosova

Bajrami, Kurtit për Investimet e Huaja Direkte: Rritja vjen nga inflacioni, shkojnë kryesisht në blerje të banesave nga mërgata


Hykmete Bajrami

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se rritja e Investimeve të Huaja Direkte vjen kryesisht nga inflacioni dhe shkojnë kryesisht në blerje të banesave nga mërgata.

Këto komente, Bajrami i ka bërë përmes një postimi në Facebook, duke i reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se gjatë qeverisjes së tij janë rritur investimet e huaja direkte për 2.4 herë më shumë në raport me qeveritë e kaluara.

Në reagimin e saj, Bajrami i rikujtoj aferat korruptive të Qeverisë Kurti, pasi që kreu i ekzekutivit e quajti qeverisjen e tij “të ndershme”.

“Qeverisja e ndershme paska thënë Kryeministri, cila kjo 900 tenderve të negociuar, qeverisja me Martin Berishajn, Nagip Krasniqin, me tatimet që ju merren bizneseve e mandej ministrat e tu ju japin familjarëve për OJQ?”, shkroi Bajrami.

E vërteta, në prizmin e deputetes së LDK-së, është se Qeveria nuk ka bë asnjë reformë fiskale. “As edhe një”.

“Që katër vite mandat të kësaj qeverie Administrata Tatimore e Kosovës udhëhiqet nga drejtori që kundërligjshëm e pat zgjedhë PDK-ja kur ka qenë në pushtet”, shtoi.

Gjatë këtij mandati, Bajrami theksoi se kanë ndodhë dy ndryshime: rritja e tatimit në pronë dhe lirimi në prej 6.8 Euro në të ardhurat personale.

“A beson dikush që këto reforma kanë ndiku në rritjen e investimeve të huaja direkte?!”, pyeti deputetja.

Po ashtu, ish-Ministrja e Financave tregoi me shifra edhe sa ka qenë inflacioni gjatë Qeverisë Kurti.

“3.4% në vitin 2021, 11.6 në vitin 2022, 4.9% në vitin 2023”, prezantoi ajo të dhënat.

Përveç kësaj, Bajrami prezantoi shifrat e investimeve të huaja direkte për periudhën kohore 2021-2024.

“2021: 420 milionë euro, prej tyre 384 milionë në patundshmëri ose 91%, 2022: 732 milionë euro, prej tyre 529 milionë në patundshmëri ose 72%, 2023: 844 milionë euro, prej tyre 511 milionë në patundshmëri ose 60%, 2024 (janar-prill): 269 milionë euro, prej tyre 186 në patundshmëri ose 69%”.

Ndryshe, të martën Kurti tha se mesatarja vjetore e investimeve të huaja gjatë qeverisjes së tij është 2.4 herë me e madhe në raport me qeveritë e kaluara.

“Mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte gjatë qeverisjes sonë është 705.6 milionë euro apo 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara e cila është 299.8 milionë euro nëse e marrim nga viti 2007 e këtej”, shkroi Kurti në Facebook.

Ai shtoi se qeverisja “e mirë dhe e ndershme, me besueshmëri dhe kënaqshmëri të lartë qytetare, sundimi i ligjit, përparimi demokratik, stabiliteti institucional, reformat ekonomike, përgjegjshmëria fiskale, politikat tatimore të përshtatshme, mbështetja e investimeve përmes garantimit të kredive, fuqia punëtore e kualifikuar, e me skemat e punësimit të subvencionuara nga qeveria po e bëjmë shtetit tonë një destinacion përherë e më shumë tërheqës për investime dhe opsion gjithnjë e më të favorshëm për investitorë të huaj”.

Kosova ka zënë vendin e dytë në mesin e shteteve evropiane në zhvillim në indeksin e performancës për tërheqjen e investimeve të huaja direkte (IHD) për vitin 2023 – dhe në vendin e pestë në të gjithë botën – në bazë të një raporti të publikuar nga qendra FDI Intelligence për investime të huaja.

Nga ana tjetër, partitë opozitare dhe njohësit e çështjeve ekonomike kanë kritikuar ekzekutivin e udhëhequr nga Kurti në lidhje me politikat ekonomike, posaçërisht sa i përket investimeve kapitale.

Opozita ka konsideruar se paralajmërimet për luftë të krerëve të institucioneve kosovare, posaçërisht të kryeministrit Kurti, kanë frenuar investimet e jashtme dhe të brendshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore