Kosova

Osmani takon shefin e ri të BE-së në Prishtinë: Kosova ka mbushur kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat


Vjosa Osmani dhe Aivo Orav

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të martën shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, ku kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend, përfshirë sigurinë, dhe përkushtimin e Kosovës drejt anëtarësimit të ardhshëm në BE, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Në bazë të komunikatës presidenciale, shefja e shtetit ka theksuar se Kosova ka mbushur të gjitha kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat të BE-së. Kosova ka dorëzuar dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku 27-shtetesh akoma nuk e ka marrë në konsideratë.

“Presidentja Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave në të gjitha fushat, duke harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, si dhe duke qenë plotësisht e bashkërenduar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, thuhet në kumtesën e presidencës.

“Në këtë frymë, presidentja Osmani ka përsëritur rëndësinë e madhe të trajtimit të shteteve aspiruese bazuar në merita dhe në përqafimin e vlerave që qëndrojnë në themelet e BE-së”, ka njoftuar mes tjerash presidenca.

Këshilli i BE-së ka emëruar diplomatin estonez në postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut në Prishtinë në korrik të këtij viti, duke pasuar kështu diplomatin çek, Tomas Szunyog, që ka shërbyer në këtë post që nga viti 2020. Orav, një diplomat me përvojë rreth 30-vjeçare në diplomacinë evropiane, nacionale e rajonale, do të ketë mandat fillestar prej dy vjetësh.

BE-ja pothuajse vazhdimisht e ka qortuar Kosovën për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar të territorit. Ata së fundi kanë paralajmëruar se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri të vend, mund të ndikojnë negativisht në mundësinë e largimit të masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura më shumë se një vit më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore