Kosova

Aktivisti i LDK-së Imer Imeri fillon dëshminë në Hagë: Nuk jam kundër UÇK-së, por veprat e individëve të caktuar më sollën këtu


Imer Imeri

Imer Imeri, aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) gjatë luftës në Kosovë, ka nisur të dëshmojë në procesin gjyqësor kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë të Holandës.

“Nuk jam këtu kundër UÇK-së – ajo është e artë për popullin e Kosovës – por mjerisht, veprat e individëve të caktuar më kanë sjellë sot këtu”, ka deklaruar Imeri para prokurorëve dhe gjykatësve të hënën në seancë.

E prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Vega Iodice, ka thënë se Imeri është rrëmbyer në Kosovë dhe është mbajtur në një kazermë në Shqipëri, ndërsa aty është rrahur nga pjesëtarë të UÇK-së.

“Dëshmitari është shqiptar i Kosovës që është rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së sepse ishte përkrahës i LDK-së. E kanë mbajtur në kazermën ushtarake të UÇK-së në Shqipëri, ku edhe është rrahur nga ushtarët e UÇK-së”.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi – dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në gjyqin që ka nisur në prill 2023, ish-krerët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore