Kosova

Ambasadori britanik: Veriu i Kosovës ka potencial të madh ekonomik, por ka ende rreziqe serioze të sigurisë


Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hardgreaves

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hardgreaves, ka thënë se situata e sigurisë vazhdon të jetë “e brishtë” në pjesën veriore të Kosovës, të cilën ai thotë se prejse është emëruar ambasador e ka vizituar disa herë, derisa ka theksuar se ka ende “rreziqe serioze të sigurisë”.

“Ka ende tensione dhe rreziqe shumë reale të sigurisë, që do të thotë se roli i KFOR-it të NATO-s mbetet më i rëndësishëm se kurrë më parë për të ruajtur një mjedis të sigurt. Unë kam vizituar disa herë pjesën veriore të Kosovës që kur kam ardhur këtu. E kam bërë prioritet. Pjesa veriore është e bukur, me histori të pasur dhe potencial të madh ekonomik”, tha ai gjatë një interviste për mediumin serb “Kossev”.

“Por, njerëzit që jetojnë këtu ende po paguajnë një çmim të lartë për mungesën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi.

Kur është pyetur për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, ai ka potencuar se krimineli serb Milan Radojiçiç i cili mori përgjegjësinë për këtë sulm duhet të sillet para drejtësisë.

“Ishte një ngjarje shumë e rëndë. Është me rëndësi që Milan Radojiçiç dhe përgjegjësit e tjerë të sillen efektivisht para drejtësisë. Mendoj se derisa të bëhet kjo, ekziston rreziku që besimi në Serbi për negociatat në dialog me mirëbesim të lëkundet”, nënvizoi ai.

Gjatë kësaj interviste, diplomati britanik ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që ta zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit që u arrit gjatë vitit të kaluar dhe është shprehur i zhgënjyer që ka stagnua procesi i dialogut mes dy palëve.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur atë dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në këtë rajon. Megjithatë, kjo nuk do të arrihet plotësisht derisa të zbatohen të gjitha aspektet e Marrëveshjes Themelore si nga pala kosovare ashtu edhe nga pala serbe”, theksoi Hardgreaves.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore