Kosova

Profesori amerikan: Kurti i papëlqyer nga Perëndimi për shkak të mos themelimit të Asociacionit


David Kanin, profesor në SHBA

Profesori për Studime Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, David Kanin, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk pëlqehet” nga zyrtarët perëndimorë, meqë ky i fundit po refuzon themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Albin Kurti është i papëlqyer në mesin e zyrtarëve perëndimorë pjesërisht për shkak të refuzimit të tij për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për të cilin paraardhësit e tij ranë dakord në vitin 2013. Kurti e kupton se një organ i tillë ka të ngjarë të zvogëlojë sovranitetin e Kosovës, jo ta forcojë atë. Asociacioni do të zgjeronte shtrirjen e Serbisë në Veri”, tha Kanin në një intervistë për revistën serbe nin.rs

Gjatë kësaj interviste, ai foli edhe për vizitën e Drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns gjatë muajit të kaluar në Ballkan, derisa ka shtuar se vizita e kryespiunit amerikan nuk i duket e “pazakonshme”.

“Pozicioni i zotit Burns si drejtor i CIA-s nuk është aq i rëndësishëm sa statusi i tij si një anëtar i besuar i ekipit të politikës së jashtme të Presidentit Biden. Nëse zëvendëspresidentja Harris bëhet presidente e ardhshëm, Burns mund të mbetet në detyrën kryesore. Vizita e tij nuk më duket e pazakontë. Administrata po përpiqet të shënojë disa suksese në politikën e jashtme në Lindjen e Mesme ose në Ballkan përpara se të largohet nga detyra”, shtoi.

Për Kanin, Serbia dhe Ballkani kanë qenë prej kohësh në qendër të interesit të ShBA-së dhe tani theksi është të sigurohet që të mos ketë kriza në këtë rajon në 70 ditët e ardhshme, deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

“Alexander Vulin nuk është një problem i madh për diplomacinë amerikane. Roli i tij si një ultra-nacionalist me lidhje të ngushta me Moskën është i gjatë dhe i njohur. Dihet gjithashtu se Vulin i shërben presidentit Vuçiç si një lojtar në politikën e tij të balancimit të fuqive të mëdha”, potencoi profesori amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore