Kosova

Italia për aksionin në Veri: Veprimet e njëanshme s’prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme


Flamuri i Italise

Kritikave ndaj Kosovës në lidhje me aksionin e Policisë në Veri të vendit, ku u mbyllen pesë (5) objekte të komunave paralele serbe, u është bashkuar edhe ambasada e Italisë në Prishtinë.

Derisa kanë shpërndarë reagimin e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për këtë çështje, ata kanë theksuar se veprimet e njëanshme nuk prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme.

“Ambasada e Italisë në Kosovë thekson fuqishëm rëndësinë e dialogut dhe konsultimeve paraprake për të adresuar sfidat e komunitetit serb të Kosovës, duke theksuar se veprimet e njëanshme dështojnë të prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme”, kanë shkruar në platformën X.

Për aksionin e Policisë së Kosovës në Veriun e banuar me shumicë serbe, ka reaguar edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Në reagimin e tyre theksohet se Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat, sipas tyre, “vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.

“Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim, derisa bëhet me dije se ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare.

Aty potencohet se SHBA-të dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.

Madje, ata theksuan se Policia është duke u instrumentalizuar nga politika, në këtë rast nga Qeveria Kurti.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premton të ‘vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar’”.

Veprimet e Qeverisë, bënë të ditur nga ambasada e SHBA-së, “do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, është shprehur i shqetësuar për aksionin e së premtes në Veri të Kosovës, ku u mbyllën pesë komuna paralele, duke thënë se veprime të tilla mund të nxisin tensione.

Reagimin e ka bërë Hargreaves, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë”.

“Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit”, ka shkruar ai.

Në këtë linjë kanë qenë edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde si dhe ai francez, Olivier Guerot.

Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për veprimet e institucioneve të Kosovës në Veri të vendit, të premten.

Sipas Rohdes, Kosova po krijon kriza të panevojshme.

“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet reagimit të Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë”.

“Duam të heqim masat dhe të lëvizim përpara në integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës. Jo më gjendje krize të panevojshme”, ka shkruar Rohde në rrjetin social ‘X’.

Kurse ambasadori francez, Olivier Guerot ka thënë se veprime të tilla s’janë të mirëpritura.

“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm në komunitete, në këtë rast te komniteti serb, nuk është i mirëpritur”.

“Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore