Kosova

Edhe këtë vit Qeveria do financojë tekstet mësimore për nxënësit shqiptarë në Luginë


Ilustrim

Qeveria e Kosovës edhe këtë vit do të financojë tekstet për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi (KKSH), Nevzad Luftiu, përmes një postimi në Facebook, të shtunën.

“Për dallim nga viti i kaluar katalogut të librave, këtë vit i shtohet ‘matematika’ e kl.1,2,3,4 e prof. Sejdi Bilalli dhe ‘bota digjitale’”, bëri me dije Lutfiu.

Ai bëri me dije se ka kërkuar nga drejtorët e shkollave që t’ia paraqesin numrin e nxënësve me kushte jo të mira financiare për t’ia siguruar çantat dhe mjetet shkollore.

“Edhe këtë vit do të organizojmë seminare me mësimdhënësit shqiptarë të vendit tonë. Një tjetër super lajm për nxënësit, këtë vit në shkollat e tyre do të sjellim shfaqje të ndryshme”, përfundoi ai.

Kjo është hera e disatë me radhë që Qeveria e Kosovës i financon tekstet mësimore për nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës.

Shqiptarët që jetojnë në Serbi janë të shtypur sistematikisht nga regjimi atje. Madje, atyre nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin Amerikan, por edhe në Bashkimin Evropian, është pasivizimi i adresave që autoritetet serbe janë duke ua bërë shqiptarëve etnikë, posaçërisht në Medvegjë.

Së fundmi, shqiptarët në Serbi kanë organizuar edhe një protestë në Bujanoc, për identitet dhe dinjitet.

Ndërsa, pas kësaj proteste janë shfaqur grafite raciste dhe nxitëse të urrejtës në gjuhën serbe si “vdekje shqiptarëve”, të cilat janë dënuar ashpër nga politikanët shqiptarë në Luginë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore