Kosova

Osmani takon homologun çek, flasin për forcimin e partneritetit


Vjosa Osmani dhe Petr Pavel

Angazhimi i përbashkët për paqe dhe siguri afatgjate në Evropë, si dhe forcimi i partneritetit Kosovë-Çeki kanë qenë temat qendrore në takimin mes Vjosa Osmanit dhe Petr Pavel.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, përmes një njoftimi në Facebook, pas takimit që ka pasur me Presidentin e Çekisë, të shtunën.

“Për herë të parë në historinë e raporteve midis Kosovës dhe Çekisë, sot, realizuam takimin e parë bilateral në nivel presidentësh”, shkroi Osmani.

“Takimi i sotëm me Presidentin çek Petr Pavel u fokusua në angazhimin tonë të përbashkët për paqe dhe siguri afatgjate në Evropë, si dhe në forcimin e partneritetit midis dy shteteve tona”.

Ndryshe, të premten presidentja Osmani ka udhëtuar në Pragë të Çekisë, për të marrë pjesë në forumin global të sigurisë, GLOBSEC 2024.

Zyra e presidentes ka njoftuar se e para e vendit do të jetë në mesin e liderëve global të cilët do të mblidhen në Pragë me qëllim të diskutimit të sfidave të ndryshme gjeopolitike dhe rëndësisë së bashkëpunimit në tejkalimin e tyre.

Presidentja Osmani do t’i drejtohet audiencës ndërkombëtare në një diskutim mbi perspektivën e Kosovës karshi zhvillimeve gjeopolitike, gjersa do të realizojë edhe takime të tjera bilaterale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore