Kosova

Lajçak: Është iluzion se dialogu do të ndryshojë me Kallas, marrëveshja e Ohrit është hartuar nga mendjet më të ndritura


Miroslav Lajçak

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se parametrat bazë të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do të ndryshojnë edhe me udhehqësinë e re të Unionit, derisa nuk mendon se do të ketë marrëveshje të re, pas asaj Bazike (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023), pasi që po të kishte ujdi më të mirë, ai theksoi se dikush do ta kishte propozuar.

Këto komente, diplomati sllovak i ka bërë në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, pasi që është pyetur nëse me ardhjen e Kaja Kallas-it në krye të diplomacisë evropiane duhet a po do të ndryshojë ndonjë gjë sa i përket dialogut.

“Shiko, parametrat bazë nuk do të ndryshojnë. Parametrat bazë të këtij procesi janë të njohura mirë. Dhe natyrisht, këtu përfshihet fakti që komuniteti serb në Kosovë duhet të jetë në gjendje ta ruajë identitetin e vet, të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur, të ketë marrëdhënie institucionale me Serbinë në përputhje me standardet evropiane dhe brenda kornizës ligjore të Kosovës”, tha Lajçak.

“Le të jemi shumë të qartë për këtë”, insistoi ai, dhe shtoi se në këmbim, “Serbia duhet t’i përmbushë të gjitha elementet e normalizimit të marrëdhënieve”.

Kështu që, Lajçak shprehet i bindur “kjo nuk mund të ndryshojë”, derisa edhe nuk mendon se mund të ketë një marrëveshje të re Kosovë-Serbi, pas asaj Bazike.

“Sepse nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë, dikush do ta kishte propozuar. Janë mendjet më të ndritura që kanë punuar për këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara, nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti nga Gjermania, Franca dhe Italia”, shtoi.

Pra, sipas tij, “është përsëri një iluzion të besosh se me përfaqësuesin e ri të Lartë [të BE-së], papritur do të ketë një proces të ri”.

“Parametrat kryesorë nuk do të ndryshojnë. Dhe për këtë arsye, pacta sunt servanda – ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet – është parimi bazë. Dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mirë”.

Se çka top-diplomati sllovak pret nga palët është qartë: Gjithçka tanimë është në marrëveshje.

“Kjo do të thotë se Serbia zotohet t’i njohë simbolet, dokumentet, institucionet e Kosovës. Ka një marrëveshje për shkëmbimin e misioneve. Ka një marrëveshje për të mos e penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pra, lexoni marrëveshjen dhe gjithçka është aty”.

“Dhe, siç thashë, asgjë nuk i pengon palët ta bëjnë pjesën e tyre, përveç që ka shumë pak besim midis tyre. Fatkeqësisht, mandati im ka qenë ndoshta më shumë i përkushtuar ndaj menaxhimit të krizave sesa promovimit të normalizimit”.

Por, një element i rëndësishëm që do ta theksoj, natyrisht, edhe për pasardhësin tim dhe për përfaqësuesin e ri të Lartë, është që ky proces duhet të jetë i lidhur dukshëm dhe drejtpërdrejt me integrimin evropian. Sepse në të kaluarën, kur palët e dinin se një përparim drejt normalizimit do të sillte gjithashtu përparim të dukshëm në rrugën drejt BE-së, ky ishte një motivim shumë i fortë.

Sa i përket sulmeve për qasje jofer, të ardhura nga Kosova, Lajçak theksoi se është mjaftueshëm gjatë në këtë punë për t’i ditur këto lojëra.

“Pikë së pari, sulmet personale nuk janë mënyrë evropiane. Ne nuk e bëjmë këtë në Evropë. Duhet t’i shohësh çështjet. E dyta, ajo që kërkohet nga Kosova, sipas Marrëveshjes së Ohrit, është diçka për të cilën Kosova tashmë është zotuar ta bëjë më 2013, dhe madje e ka ratifikuar në Parlament. Më tregoni, pra, se si një gjë e tillë është jo fer”.

Nëse mendoni se mund të merrni gjithçka falas, në prizmin e tij, “atëherë sigurisht se kur ju kërkohet ta kryeni pjesën tuaj, mund t’ju duket e padrejtë”.

“Por, në jetën reale, mes të rriturve, duhet të japësh që të marrësh. Të dyja palët. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund të arrish marrëveshje”, pohoi ai, dhe shtoi se “sulmet personale nuk do të ndihmojnë, sepse ato, në fakt, diskreditojnë njerëzit që sulmojnë”.

Para disa ditësh pati raportime se drejtuesit e ri të BE-së nuk do të caktojnë Emisar Special për dialogun, pozitë që tani e mban Lajçak, por sipas sllovakut, duhet të ketë, pasi që, sic thotë ai, është vërtetuar se është pozitë e rëndësishme.

“Do të takohem me të dërguarin e ri të BE-së në ditët në vijim dhe do të diskutojmë, natyrisht, për të gjitha në hollësi. E kemi një takim të caktuar. Por, nuk dua të parashikoj rezultatin, porse mund të jem i sigurt që do të ketë të dërguar të BE-së dhe ekipi do të vazhdojë, sepse është vërtetuar se është i rëndësishëm, sidomos për përfaqësuesin e Lartë, sepse përfaqësuesi i Lartë ka shumë punë para vetes”.

Ballkani dhe procesi i normalizimit, shpjegon ai, kanë nevojë për dikë që është i fokusuar në të dhe e vëzhgon 24/7.

“Kjo është saktësisht ajo që bëjmë. Puna nuk është kryer ende dhe prandaj duhet të vazhdojë. Unë besoj që duhet të ketë të dërguar të BE-së që e asiston përfaqësuesin e Lartë, derisa të zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo është pozitë shumë e qartë”, deklaroi ai ndër të tjera.

Akorduar fillimisht në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ishte një marrëveshje ku përmes 11 neneve Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Mirëpo, ku kanë kaluar më shumë se një vit nga kjo marrëveshje, zbatimi i saj nuk duket fare afër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore