Kosova

Bajrami me shifra: Llogaritë aktive në Trust janë rritur më shumë gjatë qeverive të kaluara se sa në kohën e Kurtit


Hykmete Bajrami

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka publikuar të dhënat e llogarive aktive në Trustin Pensional të Kosovës, dhe ka bërë krahasimin e Qeverisë së Albin Kurtit me qeveritë e kaluara në bazë të rritjes së llogarive aktive në Trust.

Nga të dhënat që ka publikuar Bajrami, të cilat i ka marrë faqja zyrtare e Trustit, del që rritja e llogarive aktive në Trustin Pensional ka qenë më e madhe në qeveritë e kaluara se sa në të Kurtit.

Në vitin 2014 kanë qenë 285 mijë e 914 llogari aktive, ndërsa në vitin 2015 ishte 297 mijë e 466, që kishte shënuar rritje prej 4 për qind.

Në vitin 2016 kanë qenë 312 mijë e 672 – 5.1 për qind rritje në krahasim me vitin paraprak, duke vazhduar me 352 mijë e 849 në vitin 2017, apo 12.8 për qind më shumë.

Në vitin 2018, ka rënie. Kanë qenë 344 mijë e 453 llogari aktive, apo -2.4 për qind, për t’u rritur në 379 mijë e 827, apo 10.3 për qind në vitin 2019.

Rritja mesatare për këtë periudhë kohore (2014-2019), ka qenë 6 për qind.

Ndërsa, përgjatë viteve që Kurti ka qenë në pushtet është më pak. Rritja mesatare ka qenë vetëm 3.90 për qind.

Në vitin 2020 – që përkon me Qeverinë Kurti I – kanë qenë 387 mijë e 526 llogari aktive në Trustin Pensional, shifër kjo që karakterizon 2 për qind rritje me vitin paraprak.

Ndërsa, në vitin 2021 – koha kur Kurti vjen në qeveri për herë të dytë – kanë qenë 419 mijë e 657 llogari aktive. Rritja në këtë vit ka qenë 8.3 për qind – më e larta gjatë qeverisjes së Kurtit.

2.2 për qind është rritja në vitin 2022. 428 mijë e 891 llogari aktive gjithsejtë janë paraqitur në këtë vit.

Në vitin 2023, janë paraqitur 442 mijë e 383 llogari aktive, që do të thotë se rritja ka qenë për 3.1 për qind.

Të dhënat nga Trusti Pensional i Kosovës

Publikimi i këtyre dhënave nga deputetja e LDK-së, vjen në një kohë kur pushteti, përkatësisht kryeministri Kurti është duke folur për rritje të punësimit.

Më 29 gusht, kreu i ekzekutivit theksoi se punësimi është rritur 20% gjatë qeverisjes së tij, çka solli reagim të ashpër nga opozita.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore