Kosova

Sot përfundon afati për dorëzimin e koalicioneve, KQZ njofton se deri më tani janë paraqitur tri


KQZ

Këtë të premte përfundon afati për dorëzimin e koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, derisa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kanë bërë me dije se janë paraqitur tri (3) koalicione deri tani.

Zëdhënësi i KQZ-së, në një prononcim për Albanian Post ka njoftuar se 3 parti kanë deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Deri më tani, partitë politike të regjistruara, Partia Demokratike e Diasporës dhe Lëvizja për Bashkim, kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje”, tha Elezi për AP.

Sa i përket koalicioneve, Elezi njoftoi se është ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe Nismës Socialdemokrate me emrin “AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS, NISMA – NISMA SOCIALDEMOKRATE, LISTA KONSERVATORE, FORUMI INTELEKTUAL”.

Po ashtu, në KQZ është dorëzuar edhe koalicioni nga Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, me emrin: PDU – BALLI KOMBIT.

Koalicion në KQZ kanë dorëzuar edhe disa parti boshnjake me emrin: “NAŠA BOŠNJAČKA KOALICIJA”.

Afati i vendosur nga KQZ për dorëzimin e koalicioneve ka qenë nga 16 deri më 30 gusht.

Kohëve të fundit është folur edhe për mundësitë e një koalicioni parazgjedhor mes Lëvizjes Vetëvendosje me partinë GUXO të Donika Gërvallës dhe Alternativës së Mimoza Kusari-Lilës, mirëpo në KQZ nuk është dorëzuar asnjë koalicion i tillë.

Nga GUXO dhe Alternativa kanë shprehur vullnetin e tyre për koalicion parazgjedhor me VV-në, mirëpo këta të fundit nuk janë deklaruar për këtë çështje.

Këto parti kishin garuar së bashku me VV-në edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-së, por jo si koalicion zyrtar. Kandidatët e tyre kishin garuar nën siglën e VV-së.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 16 gusht, ka caktuar datën e zgjedhjeve të reja parlamentare. Ato do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Kjo është hera e parë pas pavarësisë që në Kosovë organizohen zgjedhje të rregullta, duke qenë se të gjitha të tjerat ishin të jashtëzakonshme, për shkak të dorëheqjeve të kryeministrave apo mocioneve të mosbesimit.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.

Ato i kishte fituar në mënyrë plebishitare Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.

Nga lista fituese, pra e LVV-së, e cila ishte në koalicion me Listën Guxo, që atëbotë udhëhiqej nga Vjosa Osmani, janë zgjedhur tre krerët e institucioneve kryesore të shtetit, konkretisht Albin Kurti Kryeministër, Vjosa Osmani Presidente dhe Glauk Konjufca, Kryetar i kuvendit.

Në ato zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse; Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%); PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%); LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore