Kosova

Hamza: Prioritet të politikës së jashtme do të kem normalizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore


Bedri Hamza

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se prioritet të qeverisjes së tij, në rast se merr besimin për të udhëhequr me ekzekutivin kosovar, në politikën e jashtme do ta ketë – ndër të tjera – normalizimin e raporteve ndërfqinjësore.

Këto komente, Hamza i bëri përmes një postimi në Facebook, pas takimit që pati me Emisarin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Kryetari i Mitrovicës njoftoi se me top-diplomatin gjerman ka diskutuar për zhvillimet politike në vend e rajon.

“Si subjekt politik, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar, që në koordinim të plotë me partnerët tanë ta forcojmë paqen dhe sigurinë në tërë rajonin tonë”, shkroi Hamza.

Manuel Sarrazin dhe Bedri Hamza

Ndërsa, si kandidat për kryeministër, ai potencoi se “prioritete të politikës së jashtme në qeverisjen time do të jenë forcimi i subjektivitetit shtetëror, normalizimi i raporteve ndërfqinjësore, përafrimi i vendeve të rajonit dhe integrimi euroatlantik”.

“Në rrugën evropiane të Kosovës është jetike përkrahja e Gjermanisë dhe me përkushtim të palëkundur do ta ruajmë partneritetin me të gjithë aleatët tanë”, pohoi Hamza ndër të tjera.

Manuel Sarrazin është duke qëndruar të enjten në Kosovë, ndërsa është paralajmëruar se në ora 18:00, ai do të ketë edhe një konferencë për media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore