Kosova

Macron për Marrëveshjen Bruksel/Ohër: Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë


Emmanuel Macron dhe Albin Kurti

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nëpërmjet një letre drejtuar popullit serb përpara vizitës dyditore të planifikuar në Beograd, ka deklaruar që marrëveshja e propozuar nga Franca dhe Gjermania, dhe e zyrtarizuar nga Bashkimi Evropian (BE) nën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara (SHBA), në kuadër të dialogut, është në përputhje me interesat e Serbisë.

Në letrën e publikuar në gazetën e përditshme serbe “Danas” të enjten, ai ka theksuar se do të angazhohet personalisht që Kosova dhe Serbia të përmbushin çdo pikë të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, fillimisht në Bruksel të Belgjikës (27 shkurt), pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut (18 mars).

“Rruga drejt normalizimit të nevojshëm ruan thelbin: mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e natyrshme me Serbinë; por edhe ekzistenca e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”, ka thënë Macron.

“Kjo rrugë është e trasuar: çdo gjë që ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë dhe duke pasur parasysh ndjenjat e forta të serbëve për këtë çështje, duke i respektuar ato, ftoj Serbinë dhe ftoj të rinjtë në Serbi të zgjedhin paqen dhe të zgjedhin të ardhmen”, ka shtuar ai.

Macron ka përmendur në këtë kontekst edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i cili synon të sigurojë “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit” për komunitetin serb që përbën shumicën në pjesën veriore të Kosovës, për themelimin e së cilit ka garantuar se do të angazhohet personalisht.

“Unë personalisht do të mbetem i angazhuar – jam i sigurt se edhe BE-ja do të mbetet te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe para së gjithash në krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe”, ka shtuar ndër të tjera presidenti francez, i cili viziton Serbinë për herë të dytë brenda pesë vjetësh.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje vitin e kaluar nën lehtësimin e BE-së. Kosova megjithatë nuk ka pranuar që prioritet kryesor i ndërkombëtarëve të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet, kryesisht sa i përket mospengimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe integritetit territorial të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore