Kosova

Krasniqi pas takimit me Sarrazinin: E njoftova për angazhimin e PDK-së për ruajtjen e interesit të shtetit


Kryearti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

“Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit politike në rajon, me theks të veçantë ato në Kosovë. Emisarin Sarrazin e njoftova se Partia Demokratike e Kosovës është angazhuar çdo ditë, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, të jap kontributin e saj të parezervë për ruajtjen e interesit të shtetit tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sipas Krasniqit, për PDK-në, bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës është tejet i rëndësishëm.

“Në këtë drejtim, PDK mbështetë të gjitha nismat e mirëfillta të cilat rrisin dhe fuqizojnë bashkëpunimin konstruktiv rajonal – si hap konkret drejt përafrimit të rajonit me Bashkimin Evropian. Emisarin Sarrazin e falënderova për kontributin e vazhdueshëm të Gjermanisë për Kosovën”, shtoi kreu i PDK-së.

Ambasada e Gjermanisë ka njoftuar të mërkurën se ai do të zhvillojë takime zyrtare dhe para përmbylljes së vizitës së tij do të ketë një deklarim për media.

Diplomati gjerman u emërua në postin e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, ai ka zhvilluar një sërë vizitash në Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit.

Vizitën e fundit në Kosovë, Sarrazin e zhvilloi gjatë vitit të kaluar kur u takua me krerët shtetërorë të Kosovës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore