Kosova

Policia konfiskon kokainë, para dhe armë zjarri – arrestohen dy persona


Foto nga Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve’ të llojit kokainë, derisa kanë bërë me dije se gjatë operacionit ka konfiskuar mbi 40 paketime me substancë narkotike të llojit kokainë, para dhe armë zjarri.

Përmes komunikatës për media, PK-ja bëri me dije se fillimisht në Prishtinë është ndaluar një veturë me targa vendore të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari.

“Gjatë kontrollit të tij, në trup i janë gjetur para të gatshme me vlerë 2790 euro, një telefon celular, ndërsa gjatë kontrollit të veturës i janë gjetur 22-paketime të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë në formë të ngurtë të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë, e gatshme për shitje me peshë 83 gram”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me rastin, Policia ka vazhduar në një lokacion tjetër, ku i dyshuari i dytë në momentin që kishte vërejtur policinë ka tentuar të ikte, por pas ndjekjes së tij ai është ndaluar dhe arrestuar.

Gjatë kontrollimit të banesës që të dyshuarit dyshohet se e kanë shfrytëzuar janë gjetur një armë zjarri, një karikator, 15 fishekë dhe 2 peshore digjitale që shërbejnë për matje në sasi të vogla.

“Është bërë po ashtu kontrollimi i një garazhe dhe gjatë kontrollit të saj aty ndodhej një veturë me targa vendore pronë e njërit nga të dyshuarit, ku në pjesën e brendshme të saj janë gjetur edhe 23-paketime të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë në formë të ngurtë, të dyshuar për substancë narkotike të llojit kokainë e gatshme për shitje me peshë 133 gram”, thuhet në komunikatë.

Të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48-orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore