Kosova

Kurti: Sigurimet shëndetësore s’na parandalojnë sëmundjet


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë përurimit të renovimit së Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka thënë se po përgatitet ligji për sigurimet shëndetësore, teksa ka theksuar se ky ligj do të miratohet në një nga mbledhjet e qeverisë këtë vit, por ka shtuar se sigurimet shëndetësore “nuk i parandalojnë sëmundjet”.

“Të mos i shohim sigurimet shëndetësore që do të na i parandalojnë sëmundjet. Sigurimet shëndetësore janë shumë të rëndësishme, ato janë zotimi ynë. Ligjin për sigurimet po e përgatisim, nëse jo në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë që mbahet nesër, në mbledhjen tjetër do të jetë për miratim, e pastaj do t’i ndjekë procedurat për Kuvend”, tha Kurti.

Sipas tij, kur të bëhen sigurimet shëndetësore, qytetarët do të kenë një kosto shtesë pasi do të paguajnë paraprakisht për atë që mund të t’iu ndodhë më vonë.

“Për shumicën dërmuese të shërbimeve në Kosovë paguhet pak ose fare pak. Nuk është që qytetarët paguajnë sot, e nuk janë sigurimet që do të na bëjnë të paguajnë më pak. Në fillim do të jetë e kundërta. Të paguajmë njëherë, që të mos paguajmë më vonë”, shtoi.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

Prej atëherë çështja ka mbetur pezull. Buxheti për sistemin e përgjithshëm shëndetësor për vitin 2024, kap vlerën e 345 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore