Kosova

“Kosova vendi i dytë më i varfër në Evropë”, Bajrami: Ky realitet i hidhur rezultat i dështimit të Qeverisë


Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të listës nga “World of Statistics”, ku Kosova renditet si vendi i dytë më i varfër në Evropë pas Ukrainës.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, për këto rezultate ajo fajësoi Qeverinë, ku listoi shumë çështje të cilat konsideron se janë dështime të saj, duke filluar nga çmimet e larta, nepotizmi e të tjera.

“S’ka si të jetë ndryshe, sepse që katër vite investimet kapitale si përqindje e buxhetit janë në nivelet me të ulëta në histori, çmimet janë më të lartat, prokurimi publik është negocim mes miqve, punësimi është nepotizëm, arsimi është dështim e menaxhim i krizave të krijuara nga vetë Qeveria”, ka shkruar Bajrami.

“Nuk ka asnjë reformë fiskale, nuk ka asnjë reformë në ambientin e të bërit biznes, përkundrazi çdo ligj që rregullon çështjet ekonomike që e ka ndryshuar ë është në kundërshtim me Kushtetutën, respektivisht me nenin 10 të saj”.

Përpos këtyre, ajo ka potencuar se është shqetësuese që pavarësisht potencialit që ka Kosova rangohet si e tillë në Evropë, pas Ukrainës, e cila është e shkatërruar nga lufta.

Ky realitet i hidhur, shton ajo se është rezultat i dështimit të vazhdueshëm të Qeverisë për të ndërmarrë reforma të rëndësishme ekonomike dhe për të krijuar një mjedis që nxit rritjen dhe zhvillimin e sektorit privat.

Deputetja e LDK-së thekson se edhe gjendja e sigurisë në vend, mungesa e koordinimit me aleatë sidomos në aspektin e sigurisë pastaj edhe “deklaratat e vazhdueshme për krim, korrupsion dhe potencial për luftë nga ana e krerëve të shtetit vetëm dëm i kanë bërë ekonomisë së vendit tonë”.

Bajrami ka shtuar se Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), qe një mandat udhëhiqet nga “një njeri pa mandat, mungesë totale e kompetencës kjo e Ministrit të Financave i cili as këtë pikë të Ligjit s’ka qenë në gjendje ta zbatojë.”

Mjedisi për të bërë biznes, në Kosovë, konsideron ajo se është një nga më të vështirët në rajon.

“Mungesa e sigurisë, fakti që jemi vend nën sanksione nga Bashkësia Evropiane, korrupsioni i lartë qeveritar, pengesat burokratike, mungesa e infrastrukturës dhe mbështetja e pamjaftueshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) e bëjnë pothuajse të pamundur që bizneset të zhvillohen e të rritën”, ka thënë ajo.

“Bizneset mirëpresin grantet dhe subvencionet, por me grante dhe subvencione gjithmonë Qeveria ndihmon vetëm një numër shumë të vogël të tyre, sepse praktikisht është e pamundur të mbështetën të gjitha, por me politika të mira fiskale, me reforma biznesore, me eliminim të burokracisë dhe me luftë kundër korrupsionit, qeveria mund t’i ndihmoj të gjitha ndërmarrjet, gjë që kjo qeveri se ka bërë asnjëherë gjatë këtij mandati”.

Gjendja ekonomike në vendin tonë, sipas saj, po përkeqësohet edhe nga shkalla alarmante e ikjes së fuqisë punëtore nga vendi.

“Kosova po humbë pasurinë e saj më të vlefshme – njerëzit e saj, për shkak të mungesës së mundësive dhe humbjes së shpresës për një të ardhme më të mirë. Kjo ikje e fuqisë punëtore, por edhe “largimi i trurit” jo vetëm që po e dobësojnë ekonominë tonë, por gjithashtu po e privon vendin tonë nga kapitali njerëzor më së i nevojshëm për zhvillim dhe inovacion”.

Qeveria, po ashtu, ajo thotë se “ka dështuar të realizoj projektet e saj buxhetore, e fokusuar në tenderë sekret nuk i ka dhënë fare përparësi realizimit të projekteve të nevojshme që do të krijonin vende pune, përmirësonin shërbimet publike dhe do të rrisnin cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët”.

“Në të njëjtën kohë nivelet e korrupsionit janë shqetësuese, me tenderë të dhënë pa transparence, pa konkurrencë, duke shkatërruar besimin e qytetarëve dhe bizneseve në institucionet publike dhe duke devijuar fondet që mund të ishin përdorur për të mirën e përbashkët.”

Edhe inflacioni deklaron se vazhdon të rritet duke ndikuar kjo në zvogëlimin e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe në vështirësimin e jetesës së tyre.

“Mungesa e politikave ekonomike efektive të qeverisë për të adresuar inflacionin po i shtyn gjithnjë e më shumë njerëz në varfëri”.

Arsimi, vlerëson se mbetet i dobët dhe komplet jashtë fokusit të pushtetit.

“Shkollat dhe universitetet tona janë të nënfinancuara, mësimdhënësit nuk paguhen për të qenë të motivuar, e institucionet e arsimit të lartë në vend nuk po arrijnë të përgatisin kuadro për tregun e punës dhe për sfidat e kohës. Neglizhimi që ë po i bën arsimit po na qon drejt një të ardhme ku të rinjtë tanë nuk janë të aftë të kontribuojnë ose të konkurrojnë në ekonominë vendore e lëre më atë ekonominë globale”, shkruan Bajrami.

Bajrami përfundon duke thënë se është koha për një Qeveri të përgjegjshme që i zbaton reformat e guximshme e të nevojshme për të rikthyer ekonominë në trendin e duhur.

“E ardhmja e Kosovës varet nga kjo, pa ekonomi të fortë nuk ka shtet”, shton ajo.

“Për fund, dështimet e qeverisë në fushat kritike si: reformat fiskale, mjedisi i biznesit, mbajtja e fuqisë punëtore, investimet kapitale, korrupsioni, inflacioni dhe arsimi e kanë dërguar vendin në një rrugë të rrezikshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore