Gjykata Speciale

Smith: S’ka urdhër për monitorim të bisedave mes avokatëve dhe ish-krerëve të UÇK-së


Foto: Albanian Post

Charles Smith, kryetar i trupit gjykues në rastin ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fillim të seancës këtë të hënë i është përgjigjur kërkesës së përbashkët të mbrojtjes për të mos iu përgjuar komunikimet e tyre me të akuzuarit.

Ai theksoi se asnjëherë nuk janë urdhëruar përgjime të tilla edhe pse të akuzuarit ishin përgjuar në qendrën e paraburgimit në Hagë gjatë vitit 2023.

“Garantojmë mbrojtjen që nuk ka asnjë urdhër për monitorim të komunikimit të tyre me të akuzuarit në asnjë formë në qendrën e paraburgimit”, tha Smith.

Vitin e kaluar përmes një kërkese Zyra e Prokurorit të Specializuar pati kërkuar që Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimi, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet e tjera, përveç me ekipin e avokatëve, meqë i kanë çuar mesazhe dëshmitarëve përmes vizitorëve të tyre duke i udhëzuar se çfarë duhet të thonë para gjykatës.

“Hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (‘SPO’), kanë zbuluar gjithashtu përpjekje të mëtejshme për të penguar procedimet, duke përfshirë lëshimin e udhëzimeve se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët dhe planifikimin e qasjeve ndaj dëshmitarëve”, thuhet në hyrje të parashtrimit.

Nga Prokuroria ishte thënë po ashtu se vizitorët që kanë qenë në periudha të ndryshme në Hagë, ishin afruar tek dëshmitarët duke synuar që të komunikojnë me ta për të penguar dëshminë e tyre.

“Shumë dëshmitarë të mbrojtur në këtë rast kanë raportuar se u janë afruar persona që tentojnë të pengojnë ose ndikojnë në dëshminë e tyre. Siç përshkruhet më poshtë, në një numër rastesh, këto qasje u tregua se ishin drejtuar nga një ose më shumë nga tre të akuzuarit dhe/ose personat që i kishin vizituar ata në Hagë”.

“Në bazë të autorizimit gjyqësor nga gjyqtari i vetëm, PSP-ja ka regjistruar në mënyrë të fshehtë vizita jo të privilegjuara të tre të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit (‘Incizime’)”.

Ndryshe, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka nisur në prill të vitit 2023. Të gjithë këta ishin arrestuar më 5 nëntor 2020, dhe gjenden në paraburgim që atëherë.

Ata akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime të pretenduara kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore