Kosova

Lajçak folës në Forumin e Alpbachut ku po merr pjesë edhe Osmani


I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se po merr pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Evropian të Alpbachut në Austri.

“Mezi presim një ditë tjetër shkëmbimesh me të rinj nga rajoni dhe më gjerë”, shkroi ai në platformën “X”.

Në këtë forum i cili mbledh rreth vetes liderë, diplomatë e personalitete të shoqërisë civile nga mbarë bota, janë përqendruar në tema të rëndësishme që prekin Kosovën dhe Evropën, po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Sot, në një diskutim dinamik me të rinj dhe të reja nga e gjithë bota, u përqendruam në tema të rëndësishme që prekin Kosovën dhe Evropën, të ardhmen euroatlantike të vendit tonë, si dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të vlerave tona të përbashkëta demokratike”, ka njoftuar Osmani të dielën.

Forumi Evropian i Alpbachut, i cili organizohet prej vitit 1945 në Austri, bashkon çdo vit politikanë, diplomatë, nobelistë, akademikë, shkencëtarë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota për të diskutuar rreth ideve për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore