Kosova

Bajrami i kundërpërgjigjet Muratit pasi e quajti “redaktore të lajmeve”: S’kalojnë mashtrimet me bono – prandaj s’keni përgjigje


Hykmete Bajrami dhe Hekuran Murati

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit e quajti “redaktore të lajmeve”.

“Nuk kalojnë mashtrimet me bono. Prandaj s’keni përgjigje. Ne mungesë të përgjigjes, ministri i dështimeve po ju tregon mediave qysh duhet të publikojnë reagimet e opozitës ku zbërthehen mashtrimet e partisë në pushtet”, shkroi Bajrami në Facebook.

“Tregoni qysh po mashtroni me bono. Jepni përgjegjësi qysh keni mashtruar prej bashkimit kombëtar e deri te 160 çerdhet që kurrë nuk u ndërtuan. Qytetarët po kërkojnë përgjigje pse mashtruat se do t’i përfundoni rrugët për Gjilan, Mitrovicë e Podujevë”, shtoi ajo.

Deputetja e LDK-së ka potencuar se “mashtrimeve” të kësaj Qeverie po ju vjen fundi dhe prandaj “shkaktojnë dhimbje kur mashtrimet tuaja ua tregoj qytetarëve”.

Një ditë më parë, Bajrami i ka cilësuar si “mashtrime e manipulime” deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati për emetimin e Bonove të Diasporës.

Më pastaj, Murati ka ironizuar kinse Bajrami është bërë “redaktore e lajmeve”, por nuk iu është kundërpërgjigjur direkt për të dhënat që kjo e fundit i ka publikuar për bonët.

“Me gjasë kjo duhet të jetë nga ato pakot e marketingut që u ofrohet reklamuesve premium, e titulluar “Shkruajeni vetë lajmin”, ku reklamuesit i ofrohet qasje direkte në portal dhe mund të postojë lajme sa herë që ka nevojë, qoftë edhe të shtunën në ora 23:06”, shkroi Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore