Kosova

Kurti s’e përmbushi premtimin për shërbim të obligueshëm ushtarak


Kur i kanë mbetur edhe gjashtë muaj mandat si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk e ka përmbushur premtimin për shërbim ushtarak të obligueshëm për të rinjtë.

Ministri i Mbrojtës, Ejup Maqedonci, ka thënë se në këtë fazë të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk është i paraparë shërbimi i obligueshëm ushtarak.

Megjithatë, ai shtoi se të gjithë qytetarët e Kosovës mund t’i bashkohen FSK-së në baza vullnetare, meqë aktualisht ministria që ai e drejton ka prioritete tjera.

“Në këtë fazë nuk do të ketë (shërbim të detyrueshëm ushtarak). Aktualisht prioritet është përmbushja e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, plan i dakorduar edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe inicimi, funksionalizimi i mbrojtjes gjithëpërfshirëse si koncept i ri për mbrojtje dhe siguri”, tha Maqedonci në një intervistë në Klan Kosova.

Katër vite më parë, kryeministri kosovar Albin Kurti, pati theksuar se do ta planifikojnë buxhetin për ta jetësuar këtë ide.

Njohësit e çështjeve të sigurisë, kishin theksuar që Qeveria duhet ta ketë parasysh që aplikimi i shërbimit ushtarak të obligueshëm ka implikime më të mëdha financiare.

Ndërkaq FSK-ja aktualisht ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.

Në buxhetin e Kosovës për vitin 2024, të miratuar fundin e vitit të kaluar, Ministrisë së Mbrojtjes i është ndarë buxhet në vlerë prej 153.049.911 eurosh.

FSK-ja është në një process të shndërrimit në Forcë të Armatosur të Kosovës, i cili nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore