Kosova

Tahiri, Qeverisë: Kthehuni në realitet, mos mashtroni, punoni najsend


Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i ka kërkuar pushtetit, Lëvizjes Vetëvendosje, që të kthehet në realitet, që të “mos mashtrojnë” dhe të merren me problemet reale të qytetarëve.

Këto komente, Tahiri i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas debatit të madh publik që u bë në vend sa i përket temës së sigurisë, pas vizitës së Shefit të CIA-s në Kosovë, William Burns.

“I madh e i vogël në këtë vend është duke u marr me tema të sigurisë e tema të nivelit të lartë, pa pasur kurfarë dije e as njohurie për to. Tani, është mirë t’i kthehemi jetës në Kosovë, t’u kthehemi problemeve të cilat janë bërë të papërballueshme për funksionimin normal të mirëqenies së një familje”, shkroi Tahiri.

Në vend të kësaj, deputeti i AAK-së shtroi pesë pyetje, të cila tha se kërkojnë përgjigje shpejt.

“Një javë para fillimit të vitit shkollor, kur do të dalin paratë për libra dhe a është gjithçka gati për vitin e ri shkollor?  Asnjë përgjigje dhe qetësi nga MAShTI”, ishte pyetja e parë e tij.

“A do të përfundojnë para dimrit këto rrugë? A do të hyjmë në vitin 2025 me katrahurën e rrugëve që i lidhin Gjakovën, Gjilanin, Mitrovicën e Podujevën me kryeqytetin? Dhe, a do t’i rimbursoni mbi 2500 biznese të cilat janë para bankrotimit?”, ishte tjetra.

Kur pushteti do t’i rrisë pensionet ishte një pyetje tjetër.

“A po pritni për ta bërë këtë para fushatës zgjedhore? A e dini që Interlokutori i Kurtit në dialog, Vuçiç, ka njoftuar se nga 1 dhjetori 2024 do të rriten pensionet në Serbi. Ky i yni, jo vetëm që përmes dialogut nuk i ka kthyer mjetet e vjedhura nga Serbia, siç kishte premtuar gjatë kohës në opozitë, por i ka lënë pensionet në nivel të asistencës sociale, që nuk u ofron të moshuarve as mjete të mjaftueshme për trajtim shëndetësor!”.

Tahiri po ashtu pyeti se “a do të hiqni dorë nga kapja e institucioneve të pavarura dhe a do të ndaleni me sulmet e juaja, e më së keqi me kthyer RTK-në në organ partiak? Cili është kriteri për përzgjedhjen e tre anëtarëve tjerë të Bordit”.

“Kur do të kalojë Ligji për Sigurimet Shëndetësore? E di që për pagat në sektorin publik as që e keni në plan, as nuk do ta bëni kur ta sillni buxhetin e vitit 2025”, përfundoi pyetjet e tij ai.

Tahiri kërkoi që pushteti të përgjigjet në këto pyetje e të mos mundohet të merret me tema të mëdha, “sepse sot për sot këto çështje janë interes qytetar e shtetëror”.

“Kthehuni në realitet, mos mashtroni, punoni najsend!”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore