Kosova

Mexhiti: Prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit bënë gjithçka që Blerim Ramadani t’i dërgohet Daçiç-it në Serbi


Izet Mexhiti dhe Ali Ahmeti

Zëvendëskryeministri shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka hedhur akuza të rënda ndaj Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, duke thënë se prokurorët dhe gjykatësit e kreut të BDI-së kanë bërë gjithçka që ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, të ekstradohet në Serbi.

Ramadani u arrestua nga autoritetet maqedonase për shkak të një fletarresti nga Serbia. Atij fillimisht iu caktua masa e paraburgimit ekstradues prej 30 ditësh, dhe më pas u la në arrest shtëpiak, për t’u arratisur pasi që iu ndryshua përsëri masa e paraburgimit.

“Ajo që është esenciale, ajo që është tejet e rëndësishme, është që këta i përmbahen parimit, natën vrasin ditën të qajnë. Pra, prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit në vazhdimësi kanë punuar që ushtari i UÇK-së, në këtë rast Blerim Ramadani, t’i dërgohet [Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica] Daçiç-it në Serbi që këta këtu të kenë pretekst për protesta dhe destabilizim të situatës”, pretendoi Mexhiti, në një prononcim për gazetën “Lajm”.

Pra, sipas pretendimeve të Mexhitit, këta, duke iu referuar BDI-së, “nuk e kanë dertin e ushtarit të UÇK-së, këta e kanë dertin e pretekstit e kauzës për ta destabilizuar situatën, për ta shpëtuar lëkurën e vet nga proceset që i presin për shkak të korrupsionit të madh që kanë bërë viteve të kaluara”.

“Këta kanë shkruar në ekstrem, nuk di çka kanë dashur. Sikur kanë dashur të ekstradohet ushtari në Serbi duke i fërkuar duart që të ketë arsye për protesta. Pra, edhe një herë e potencoj, prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit në vazhdimësi kanë punuar kundër ushtarit të UÇK-së”, insistoi ai.

Nuk mund të shihet ndryshe, në prizmin e shqiptarit më të pushtetshëm në RMV aktualisht, “kur e dimë që Gjykata Supreme ka 4-5 gjykatës të BDI-së”.

Fillimisht, Gjykata në Shkup kishte marrë vendim për mosekstradimin e Blerim Ramadanit në Serbi, mirëpo Gjykata Supreme ka vendosur që ta kthejë në rigjykim këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore