Kosova

Mbi 10 mijë qytetarë serbë morën pasaporta të Kosovës


Pasaporta e Kosoves

Nga janari i këtij vit, mbi 10 mijë qytetarë të komunitetit serb janë pajisur me pasaporta të Kosovës.

Në një prononcim për “EkonomiaOnline”, Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj, ka thënë se beson se shkaku kryesor që i ka shtyrë serbët për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës është liberalizimi i vizave.

“Qytetarët serbë duhet ta kuptojnë se ata që jetojnë brenda territorit të Kosovës. Duhet të pajisen me dokumente, duke filluar nga letërnjoftimi, pasaporta e kështu më radhë. Në të gjitha komunat së Kosovës që janë me shumicë serbe, janë diku 105 mijë qytetarë serbë që kanë letërnjoftim të Kosovës”, tha fillimisht Camaj.

“Vlen të theksohet se nga liberalizimi i vizave, nga 1 janari deri më tani, 10 428 qytetarë serbë kanë marrë pasaportë të Republikës së Kosovës. Kështu që pas liberalizimit të vizave është shfaqur edhe interesimi i qytetarëve serbë për t’u pajisur me pasaportë”, shtoi.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se nuk ka mungesë të materialeve, derisa ka njoftuar se nga janari e deri në gjysmë të gushtit, 318 mijë qytetarë kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me pasaporta.

“Tani nuk kemi probleme, kemi material të mjaftueshëm për të gjitha dokumentet dhe qëndrojmë shumë mirë dhe procedurat jemi brenda afateve ligjore, përkundër kërkesave që kanë qenë në rritje gjatë kohës sa ishte diaspora. Nga 1 janari deri më sot, janë mbi 318 mijë qytetarë që kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me pasaportë”.

“Është e vërtetë që kemi pasur mungesë të stafit për shkak të daljes në pension apo çështjeve të ndryshme, tani jemi në procedura të rekrutimit, i kemi shpallë disa konkurse nëpër komuna që janë më me prioritet dhe jemi në vazhdimësi duke bërë kërkesë sa i përket shpalljes së konkurseve dhe t’i plotësojmë vendet e tjera me zyrtarë”, deklaroi.

Ndryshe, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza që nga janari i 2024-së/

Përveç pasaportave të Kosovës, Bashkimi Evropian ia ka njohur edhe pasaportat ilegale të serbëve të Kosovës, që lëshohen nga strukturat ilegale serbe, ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.

Ky vendim ishte kritikuar shumë nga institucionet kosovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore