Osmani pas takimit me Shefin e CIA-s: Aleanca me SHBA-të, garancë për siguri, paqe dhe sukses
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), është garancë për siguri, paqe e sukses.
Këto komente, Osmani i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas takimit që ka pasur me Shefin e Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, të enjten.
Ndërsa, para pak çastesh ka përfunduar takimi në mes të Shefit të CIA-s, me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi që Burns është parë duke dalë nga ndërtesa e qeverisë.
Takim ka filluar në ora 09:00, dhe ka zgjatur përafërsisht një orë.
Ky takim i Burns me Kurtin, erdhi një ditë pasi që kryespiuni amerikan u takua me Presidenten Osmani, dhe me shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.
Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Vizita në Kosovë e Shefit të CIA-s vjen në kuadër të “turneut ballkanik” të kësaj jave, ndonëse nuk janë dhënë fare detaje specifike rreth arsyes së vizitës.
Fillimisht, Burns vizitoi Bosnje e Hercegovinën më 20 gusht, ndërsa më 21 gusht, qëndroi në Serbi.
Për këto vizita nuk janë dhënë fare informacione zyrtare.
Ndryshe, në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, në mars, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në rajonin e Ballkanit Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet në pjesën Veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin e trazuar edhe përgjatë vitit 2023.
“Liderët nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike”, paralajmëroi Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare (ODNI).
Gjithashtu, ndonëse nuk përmendet drejtpërdrejtë, sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit në Veri të Kosovës, ku u vra një polic i Kosovës, u mor për referencë në raportin e inteligjencës amerikane mbi vlerësimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Pesë spitale regjionale pa asnjë mjekë të kirurgjisë
-
Çitaku: Serbia marrëveshje me SHBA-të, Gjermaninë e Francën, Kosova e izoluar e sanksionuar
-
Në një Shtet ku Ligji Humb Midis Fushës dhe Korrupsionit: Komedia e Errët e Futbollit të Kosovës
-
Vuçiç kërkon “angazhim më aktiv” nga BE-ja për “mbrojtjen” e serbëve në Kosovë