Kosova

Vizita e shefit të CIA-s që “shkundi” Ballkanin


Foto: Albanian Post

Pas paralajmërimeve se Rusia po tenton destabilizimin e Ballkanit, Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka qëndruar për vizitë gjatë kësaj jave në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë.

Në Prishtinë, kryespiuni amerikan u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, por askush nga palët nuk u deklarua rreth këtij takimi i cili zgjati rreth një orë gjatë së enjtes.

Po ashtu, nga ndërtesa e objektit të presidencës është parë duke dalur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Ndërsa ShBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra nga Qeveria e Kurtit për Urën e Ibrit në Mitrovicë, meqë janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Vizita e një prej figurave qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, vjen ndërsa Uashingtoni synon t’i zbusë tensionet e fundit midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe kërcënimet secesioniste të autoriteteve pro-ruse në Republikën Sërpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë.

Në Sarajevë, Burns e takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe me ministrin e Jashtëm të BeH-së.

Pas kryeqytetit boshnjak, Burns vizitoi Serbinë më 21 gusht, derisa për këtë vizitë nuk janë dhënë fare informacione zyrtare. Presidenca dhe Qeveria e Serbisë thanë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar.

Ndryshe, në raportin e parvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, në mars, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në rajonin e Ballkanit Perëndimor përgjatë vitit 2024.

Gjithashtu, ndonëse nuk përmendet drejtpërdrejtë, sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit në Veri të Kosovës, ku u vra një polic i Kosovës, u mor për referencë në raportin e inteligjencës amerikane mbi vlerësimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024.

“Përleshjet ndërmjet nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare çuan në vdekje dhe plagosje, duke përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s në vitin 2023”, kujtoi atëherë inteligjenca, duke veçuar përpjekjet e Rusisë për t’i shtuar tensionet”, thuhet në raport.

Në vazhdimësi thuhet se perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokal serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndëretnike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore