Kosova

Musliu: Përveç gjyqit politik, Veseli me shokë po ballafaqohen edhe me Qeverinë më antikombëtare


Ganimete Musliu dhe Kadri Veseli

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka thënë se ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, përveç betejës në gjykimin nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, ku po gjykohet për krime të pretenduara lufte, po përballet edhe me Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, të cilën e ka konsideruar si më “antikombëtare”.

Këto komente, Musliu i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Ben Emmerson, avokati kryesor në ekipin mbrojtës të Veselit, u largua nga mbrojtja e tij, siç u raportua, për shkak të mungesës së fondeve.

“Kadri Veseli me shokë po përballen me beteja të shumëfishta në Hagë. Në njërën anë betejën me gjyqin politik që po i bëhet në gjykatën e Hagës, në anën tjetër me Qeverinë më antikombëtare e më anti-UÇK që po keq-qeverisë me vendin”, shkroi Musliu.

Mungesa e fondeve për mbrojtjen e UÇK-së dhe tërheqja e avokatit Emerson, në vlerësimin e deputetes së PDK-së, do duhej të ishte një alarm për vendin dhe “trajtohej sot në një seancë urgjente e të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës”.

“Shteti i Kosovës po ju hynë në hak këtyre burrave duke e rrezikuar të drejtën e popullit tonë për liri”, përfundoi Musliu.

Çka ndodhi?

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, dy nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në procesin e gjykimit në Gjykatën Speciale me seli në Hagë të Holandës, ku po përballen akuzat për krime të pretenduara lufte, kanë mbetur pa avokatët kryesorë të tyre.

Për të dy këto raste është raportuar se shkak i largimit të avokatëve kryesorë të ish-Presidentit të Kosovës dhe ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës kanë qenë mjetet financiare, pra mungesa e tyre.

Fillimisht, nga ekipi i mbrojtës i ish-Drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ishte larguar avokati Gregory Kehoe, në janar të këtij viti.

Lajmi ishte konfirmuar në një deklaratë që e kishin lëshuar Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, ‘Associates Greenbuerg Legal’ dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe Thaçi i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimin nëse nuk u përmbushet detyrimi”.

Por, familjarë të Thaçit kishin treguar për mediat se avokati Gregory Kehoe ishte njoftuar për mosvijimin e kontratës në vitin 2024 dhe se mbrojtjen do ta bënte avokati kroat Luka Misetiç.

Lidhur me këtë rast, Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate për media, njoftonte se është përgjegjëse vetëm për pagesën ndaj avokatit kroat Luka Mishetiç dhe jo ndaj avokatëve tjerë të angazhuar në mënyrë private nga ish-krerët e UÇK-së.

Gregory Kehoe dhe Joe Reeder, avokatët e Thaçit, të cilët u tërhoqën nga ekipi i mbrojtjes për shkak të mosrealizimit të pagesave, nuk janë paguar ngase ata dhe kompania “Greenberg Legal Associates” nuk kanë pasur asnjëherë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.

Disa muaj pas tërheqjes së avokatit kryesor të Thaçit, u njoftua edhe largimi nga mbrojtja edhe i avokatit kryesor të Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Kjo u konfirmua të mërkurën nga Gjykata Speciale, e cila njoftoi se e ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emmerson, për tërheqje nga ekipi i mbrojtjes së Veselit.

“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emmerson”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).

Aty theksohet se Veseli dhe Emmerson u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme.

Pse u tërhoqën avokatët kryesorë të Thaçit dhe Veselit?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore