Kosova

Osmani: Plani i zbatimit për hapjen e Urës së Ibrit të bëhet në koordinim me partnerët


Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Prishtinë, dhe Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Zhvillimet e fundit në vend, përfshirë çështjen e hapjes së urës mbi lumin Ibër, kanë qenë temat qendrore në takimin mes Vjosa Osmanit dhe Jorn Rohde-s.

Siç ka njoftuar zyra e presidencës, Presidentja e Kosovës gjatë takimit me ambasadorin gjerman në Prishtinë ka ritheksuar qëndrimin e saj sa i përket hapjes së urës që lidh Mitrovicën Veriore me atë Jugore, pra koordinim me aleatët.

“Presidentja Osmani ka ripotencuar rëndësinë që plani i zbatimit për hapjen e urës të bëhet në konsultim e koordinim midis institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, dhe se hapja e saj është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie”, thuhet në njoftim.

Bëhet me dije se në takim u diskutua edhe për zhvillime që ndërlidhen me Procesin te Berlinit, me ç’rast, e para vendit ka përsëritur mbështetjen e saj të plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, është duke insistuar në hapjen e plotë të urës që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, pasi që aktualisht shfrytëzohet vetëm për këmbësorë.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimin Evropian (BE), kanë kundërshtuar hapjen e urës në këto momente, derisa kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Ura e Ibrit | Kurti: Do t’i vazhdojmë konsultimet me partnerët tanë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore