Kosova

Kosova mbështetet nga USAID-i me mbi 30 milionë dollarë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Mary Elieen Devitt, nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit për objektivat zhvilimore me një kosto rreth 34 milionë dollarë, të mërkurën në ceremoninë e organizuar.

I pranishëm aty ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Pas ceremonisë, Osmani në në konferencë për media deklaroi se kjo marrëveshje e nënshkruar do të mbështesë projekte të cilat synojnë shërbime më të mira për qytetarët.

“Projektet të cilat synojnë shërbime më të mira për qytetarët tanë nga institucione llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes si dhe rritje të mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike”, ka thënë ajo.

“Amandamenti i marrëveshjes mbi grantin për objektivat zhvillimore në një vlerë shtesë prej 34.5 milionë dollarësh i cili në total të marrëveshjes arrin vlerën prej 142. 6 milionë dollarësh”.

E para e shtetit theksoi se kjo “marrëveshje nuk është vetëm një hap përpara në përpjekjet tona të vazhdueshme për zhvillim, por edhe një pasqyrim i qartë i fuqisë së bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona”.

Osmani ka shtuar se “ne nuk po ndërtojmë vetëm institucione më të forta dhe më të qëndrueshme, por edhe një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë”.

“Marrëveshja që sapo e nënshkruam me SHBA-të me USAID-in konkretisht është edhe një rikonfirmim drejt vizionit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët tanë pa dallim”.

Secila nismë, e cila synon forcimin e institucioneve, ajo potencon se ka gjurmët e SHBA-së.

SHBA-të, sipas saj, kanë qenë dhe mbeten një partner i përkushtuar i Kosovës.

“Krahas mbështetjes financiare populli amerikan ndër vite ka treguar një partneritet të vazhdueshëm të ndërtuar mbi vlera, por mbi të gjitha një partneritet i ndërtuar në besim të ndërsjelltë besim në një Kosovë që në çdo vendim të saj në qendër të vëmendjes ka popullin e saj”, shtoi ajo.

Ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë të qytetarëve për angazhimin e pandërprerë të institucioneve dhe të popullit amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore