Kosova

AME thotë se zjarret po shkaktohen nga pakujdesia e qytetarëve


Ilustrim

Për situatën e krijuar me zjarret në Kosovë, nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, kanë thënë se ato po shkaktohen ngase qytetarët nuk po tregohen të kujdesshëm.

Udhëheqësi i divizionit për çështje ligjore, marrëdhënie me publikun dhe ndërkombëtare në AME, Nehat Koqinaj, tha se Policia e Kosovës e Prokuroria janë duke i hetuar rastet e fundit me zjarret.

“Njeriu është shkaktari kryesor i shpërthimeve të zjarreve në zonat ku po paraqiten si vatra zjarri dhe ato kryesisht po shkaktohen nga pakujdesia dhe për të mos ia shtuar edhe ndoshta qëllimet e këqija ose piromaninë ose nuk e di çfarë arsye, por dora e njeriut është kryesisht shkaktari kryesor në vënien e zjarreve”, ka thënë Koqinaj për agjencinë e lajmeve “KosovaPress”.

Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes derisa theksoi se gjatë intervenimeve në Prevallë janë lënduar disa zjarrfikës duke shtuar se është e nevojshme që të shtohen kapacitetet në mënyrë që të reagohet në këto raste.

“Në reagim në Prevallë sidomos kishte edhe disa pjesëtarë të njësive profesionale të zjarrfikës dhe shpëtimit të lënduar dhe si rezultat i atyre duhet pasur parasysh që në një të ardhme shumë të afërt kapacitetet e Kosovës për reagim të zhvillohen më shumë se sa që janë aktualisht dhe të mundësohet reagimi nga ajri në momentin e parë kur është i nevojshëm”, ka shtuar Koqinaj.

Zjarrvënia është vepër e rëndë penale, ka deklaruar Koqinaj, teksa shtoi se mund të sanksionohet me burgim të përjetshëm.

“Zjarrvënia është vepër e rëndë penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës në dy nene ceket specifikisht zjarrvënia dhe sanksionohet me një nga nën nenet e Kodit Penal dhe me burgim të përjetshëm ku si pasojë vie deri tek rrezikimi dhe humbja e jetës së njeriut”, ka shtuar ai.

Prevalla fshati turistik – konkretisht mali Oshlak – që nga 8 gushti ishte përfshirë nga zjarri.

Komuna e Prizrenit pati njoftuar se pas intervenimit nga ajri nëpërmjet helikopterëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, ishte shuar zjarri në Prevallë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore