Kosova

Jep dorëheqje edhe një anëtar i Bordit të RTK-së


Safet Kabashaj

Anëtari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Safet Kabashaj, ka dhënë dorëheqje nga ky organ, kryesisht për shkak të mosndërmarrjes së masave ndaj personave përgjegjës për transmetimin e një artikulli të paverifikuar të portalit boshnjak “Slobodna Bosna” në trasmetuesin publik.

“Të nderuar kolegë anëtarë, siç e dini, në fund të takimit të pasuksesshëm dje, ju paralajmërova se do të largohem nga pozita e anëtarit të Bordit. Andaj, përmes këtij emaili, në respektim të dispozitave ligjore, paraqes dorëheqjen time nga pozita e anëtarit të Bordit të RTK-së”, ka deklaruar Kabashaj nëpërmjet një njoftimi në rrjetin “Facebook” të dielën në mbrëmje.

Ai ka shtuar të ketë shpresuar në krijimin e mekanizmave për “konsolidim të përkohshëm të nivelit të lartë menaxherial, adresim të menjëhershëm e meritor të shkeljes lidhur me artikullin boshnjak” pas takimit të Bordit të RTK-së më 17 gusht rreth publikimit të artikullit të rremë në RTK.

“Dështimi i djeshëm ishte goditje për të gjitha këto dhe tani është koha për t’ia kthyer kuvendit mandatin që ma dha në dhjetor 2021. Pata shpresuar në vullnetin e gjerë politik dhe në pjekurinë, vendosmërinë e vizionin tonë në bord për të rikonsoliduar një RTK kredibile e të pavarur. Koha tregoi se nuk doli as njëra e as tjetra”, ka thënë Kabashaj për arsyet e dorëheqjes.

Ndryshe, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, dhe anëtarja e këtij bordi, Arta Berisha, për arsyen e njëjtë. Të dy kanë dhënë dorëheqje për shkak të vlerësimit se në RTK nuk ka vullnet që të ndërmerren masa ndaj përgjegjësve për këtë rast që shkaktoi shumë reagime.

Në Kosovë ka pasur reagime rreth skandalit të publikimit të këtij artikulli, posaçërisht për shkak se RTK-ja ka transmetuar një pjesë të tekstit, ku përmendeshin “planet” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për të rritur ndikimin në Kosovë nëpërmjet kontrollit të dy mediave kosovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore