Kosova

Shteti pa asnjë helikopter


Meqë Kosova nuk ka ende asnjë helikopter, gjatë këtij muaji u deshtë intervenimi i KFOR-it për ta shuar zjarrin në Prevallë.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se para disa viteve kishte filluar një nismë për sigurimin e tre helikopterëve, por ka mbetur vetëm si draft-projekt.

“Megjithatë, ky projekt ka pasur një impakt financiar relativisht të madh dhe nuk është finalizuar dhe ka mbetur si një draft-projekt”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për Kosovapress.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pati deklaruar se faza e paraparë për furnizim e plotësim me kapacitete ajrore është faza e tretë nga viti 2025 deri në vitin 2028.

Udhëheqësi i divizionit për çështje ligjore, marrëdhënie me publikun dhe ndërkombëtare në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Nehat Koqinaj, thotë se Kosova ka nevojë të pajiset me disa helikopterë.

“Kurdo që vendimmarrësit sigurojnë mjetet për të siguruar helikopterë, gjithë stafin ose gjithë mekanizmat mbështetës për të funksionuar ata helikopterë, atëherë do ta lehtësonte intervenimin për në raste emergjente”, tha Koqinaj.

Njohësi i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti, thekson se ditëve të fundit ka qenë e vështirë të intervenohet në zona malore për shkak të mungesës së kapaciteteve.

“Fatkeqësisht që shteti i Kosovës nuk ka një helikopter të vetëm i cili do të mund të përdorej qoftë për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme, të protokollit të shtetit, si dhe për rastet e tilla për shuarjen e zjarreve nga ajri dhe hedhjes e ujit nga ajri…Është e domosdoshme që shteti i Kosovës të ketë një ose dy helikopterë”, theksoi ai.

Më 14 gusht, pasi intervenimit të KFOR-it ishte shuar zjarri që kishte kapluar Prevallën. Agjencia për Menaxhimin Emergjent kishte njoftuar se nuk ka rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve nga zjarri i përhapur në parkun nacional të Prevallës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në operacion për fikjen e zjarrit përpos zjarrfikësve dhe shpëtuesve nga Prizreni ishin angazhuar edhe komunat e tjera si Gjakova, Prishtina dhe Ferizaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore