Kosova

Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani arratiset nga arresti shtëpiak në RMV


Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani – i arrestuar muajin e kaluar nga policia maqedonase – ka ikur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha të enjten për agjencinë e lajmeve MIA se është duke marrë masa për gjetjen e vendndodhjes së Ramadanit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Një gjykatë maqedonase më 1 gusht urdhëroi që Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe, sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte paraparë që ai të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.

“Propozimi i personit Blerim Ramadani nga Kosova, i paraqitur përmes avokatit të tij Ibraim Bajrami nga Tetova më 29.07.2024, për shfuqizimin e masës së paraburgimit për shkak të ekstradimit dhe zëvendësimin e saj me masën e arrestit shtëpiak për shkak të ekstradimit dhe masat e parandalimit, pranohet”, thuhej në dokument.

Ndërkaq muajin e kaluar, zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiç, pati thënë se pret që Maqedonia e Veriut t’ia ekstradojë Serbisë, Ramadanin.

“Ndodh shumë shpesh që shtetet ta arrestojnë dikë dhe më pas të mos e ekstradojnë. Nëse ka akuza të dokumentuara, atëherë sigurisht që presim që të ekstradohen për t’u gjykuar për krimet”, potencoi Daçiç.

Në anën tjetër në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte theksuar se është në komunikim me autoritet në RMV për lirimin e Ramadanit.

“Jemi në komunikim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe me sektorët përkatës atje në mënyrë që të marrim vesh më shumë për shtetasin e Kosovës i cili po mbahet në paraburgim atje dhe që mos të ketë nënshtrim ndaj agresivitetin të Serbisë kundër Kosovës që reflektohet edhe në fletarrestime të tilla për qytetarët tanë”, pati potencuar Kurti.

Ramadani ishte anëtar i Zonës Operative të Nerodimes dhe fletarresti serb ndaj tij u lëshua me pretendimin se kreu krime lufte ndaj serbëve në verën e vitit 1999 në rajonin e Ferizajt.

Ky nuk është rasti i vetëm kur autoritetet e Maqedonisë së Veriut arrestojnë ish-ushtarë të UÇK-së, për shkak të fletarresteve nga Serbia.

Në vitin 2016, pikërisht për shkak të flearrestit nga Serbia, ishte arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Gafurr Elshani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore