Kosova

Ura e Ibrit | Kurti: Do t’i vazhdojmë konsultimet me partnerët tanë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se konsultimet rreth hapjes së urës mbi lumin Ibër do të vazhdojnë, ndërsa ka shtuar hapja e urës kryesore në Mitrovicë nuk është kundër partnerëve të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës, dhe unë si kryeministër, besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja dhe siguria në anën tjetër, janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe qytetarët”.

“Do të vazhdojmë konsultimet dhe koordnimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, ka shtuar kryeministri Kurti në mbledhjen e 216-të të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka insistuar se ura mbi Ibër, që aktualisht ndan qytetatin e Mitrovicës në vija etnike, duhet të hapet plotësisht. Aktualisht, ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete. Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë deklaruar se – tash për tash – nuk është koha e duhur për hapjen e urës.

Kryeministri Kurti ka pritur të martën në takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutash, me të cilin ka biseduar rreth inciativës së ekzekutivit kosovar për hapjen e urës mbi lumin Ibër, pavarësisht se ajo është kundërshtuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka publikuar të martën një raport fillestar për inspektimet teknike të kryera ditët e fundit në urën e Ibrit, duke thënë se ajo është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se mund të përdoret pa asnjë kufizim ngarkese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore