Kosova

Ish-Drejtori i RTK-së: Nuk është mit, Dejona Mihali sundon në Kosovë – kërkoi largimin tim


Dejona Mihali

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se Dejona Mihali, që zyrtarisht mban pozitën e Koordinatores së Komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, “sundon Kosovën”, dhe kjo, sipas tij, “nuk është një mit”.

Ahmetxhekaj ka treguar se është pikërisht Mihali personi që ka kërkuar largimin e tij nga drejtimi i RTK-së, dhe se këtë e ka të konfirmuar nga disa anëtarë të Bordit të televizionit publik.

Këto komente, Ahmetxhekaj i ka bërë në një intervistë për “Klan Kosova”, disa javë pasi që dha dorëheqje nga pozita e ish-drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, për shkak të, siç deklaronte ai, presionit politik.

“Nga ajo se çfarë kam kuptuar pastaj është se këtu kemi përfshirjen e një zonje, e cila nuk është pjesë e strukturave shtetërore, por e cila çuditërisht është marrë me Shkumbinin. Asnjëherë nuk më ka kontaktuar direkt, asnjëherë nuk më ka shkruar direkt, por ajo çka kam kuptuar edhe prej anëtareve të bordit edhe prej të tjerëve është se kjo zonja në fjalë, e cila nuk është një mit, por është e vërtetë që në Kosovë sundon – pra vendos – thjesht ka vendos për ndryshimin që duhet të ndodh në RTK”, tha Ahmetxhekaj.

“Është një zonjë e cila drejton një nga strukturat e partisë Vetëvendosje”, potencoi ai dhe pasi u pyet nëse kjo “zonja”, siç ai i referohej është Dejona Mihali, Ahmetxhekaj e konfirmoi me “po”.

“Ajo që di është se me të tjerët ka bisedu dhe ka kërku largimin e Shkumbinit, thjesht për një ndryshim tjetër”, potencoi.

“Po, e ka kërkuar”, tregoi ai pasi që u pyet nëse Mihali ka kërkuar largimin e tij.

“Këtë ma kanë konfirmuar anëtarët e Bordit. Është në vullnetin e tyre nëse do ta thonë. Të paktën 4 prej tyre ma kanë thënë”.

Ish-Drejtori i RTK-së: Kurti më ftoi në takim ditën e diel, kërkoi ndryshim të menaxhmetit

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj, ka treguar se si kryeministri Albin Kurti e kishte thirrur në takim ditën e diel, ku i kishte kërkuar ndryshim menaxhmenti, duke nënkuptuar largimin e tij.

Këto komente, Ahmetxhekaj i ka bërë në një intervistë për “Klan Kosova”, disa javë pasi që dha dorëheqje nga pozita e ish-drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, për shkak të, siç deklaronte ai, presionit politik.

“Jam ftuar nga Albin Kurti në takim. Kam qenë në Gjenevë, bashkë me Besnik Boletinin. Më ka ftuar ditën e diel”, tha ai.

Ai e kishte pranuar këtë takim, në të cilin kishte pritur që për shkak të “ndryshimeve të mëdha substanciale” në RTK gjatë kohës kur ka udhëhequr kishte ardhur koha që televizioni publik të ketë buxhet shtesë.

“Bindja ime ishte që në këtë takim po ftohesha për një gjë të tillë, pra ndoshta për ta elaburuar më shumë planin se pse RTK-ja duhet të ketë buxhet shtesë”, tregoi.

Por, ajo se çka i kërkoi Kurti ishte krejtësisht diçka tjetër.

“Ajo që ndodhi ishte që Kurti, në njëfarë forme e pranonte se ka ndryshim në RTK, por ai mendonte se duhet të ketë ndryshim më të thellë”.

Në një moment të caktuar Kurti, rrëfeu Ahmetxhekaj, “tha se mendoj se ka ardhur koha për një ndryshim të ri, për ndryshim në menaxhment”.

“Nuk ishte shumë specifik me kërkesën që unë të largohesha ose jo, por fakti që dikush thotë ndryshime në menaxhment atë e kuptova”.

Përveç kësaj, Ahmetxhekaj tregoi edhe një propozim që kryeministri ia ka bërë atij.

“Sipas tij kishte ardhur momenti për një hov të ri të zhvillimit të RTK-së, dhe natyrisht aty biseduam faktin se ne nuk njiheshim dhe aty po ashtu në njëfarë forme më tha se do të isha i mirë për përfaqësim të Kosovës kudoqoftë”, potencoi ai, derisa bëri me dije se e ka refuzuar një gjë të tillë.

Një ditë pas takimit me Kurtin, Ahmetxhekaj tregoi se është takuar me Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili i ka kërkuar dorëheqjen e tij.

“Kjo ka qenë goditja e parë që ne kemi marrë nga pushteti”, pohoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore