Kosova

Kurti fton serbët t’i ndërrojnë patentë shoferët ilegalë: Ju kanë mbetur edhe dy javë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të shtunën, në prag të përfundimit të afatit, u ka bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb t’i përgjigjen në mënyrë pozitive ftesës së autoriteteve për kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet ilegale të Serbisë në Kosovë, në patentë shoferë legalë të lëshuara nga institucionet e Kosovës.

“3941 bashkëqytetarë nga komuniteti serb, në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës kanë aplikuar deri më sot për konvertim të patent shoferëve nga ato të strukturave ilegale të Serbisë në patent shofer të Republikës së Kosovës. Deri në përmbylljen e afatit, kanë mbetur edhe dy javë”.

“Nga 9 maji kur ka filluar ky proces, nuk është shënuar asnjë incident i vetëm. I ftoj të gjithë ata që nuk kanë aplikuar ende për konvertim të patent shoferit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi e cila ofrohet në të gjitha komunat deri më datë 9 gusht. Falënderoj qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet tona”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Ndryshe, dokumentet që nevojiten për të aplikuar për patentë shoferë, në bazë të një njoftimi të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB) në maj, janë letërnjoftimi, origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga autoritetet serbe, certifikata e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer dhe dëshmia e pagesës së taksës rrugore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore