Shqipëria

Vetëvritet një nga të akuzuarit për skandalin me mikrokreditë


Olsi Ibro, një nga të akuzuarit për skandalin me mikrokreditë, raportohet se është vetëvrarë.

Mësohet se këtë mëngjes të 20 korrikut ai është vetëhedhur nga pallati.

Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në rrugën “Ramazan Shijaku” pranë stacionit të Trenit në Tiranë.

“Më datë 20.07.2024, në rrugën ‘Ramazan Shijaku’, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, shtetasi O. I., 45 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor po punon ndërkohë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Detaje të reja ndërkaq pritet të dalin në vazhdim.

Ndërkohë, ngjarja ndodh një ditë pas sekuestrimit të dy shoqërive “Micro Credit Albania” dhe “Final”.

Ibro ka qenë drejtues i studios ligjore ADCA, e cila ka qenë gjithashtu pjesë e skemës së mashtrimit, dhe dorëzimit të pronave të qytetarëve kredimarrës në dorë të përmbaruesve privatë.

Kurse bashkëshortja e tij, Elda Ibro ishte administratore e “Micro Credit Albania”.

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar kuotat dhe asetet/aktivet (pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, tituj pronësie etj) të Micro Credit Albania dhe Final.

Sipas Prokurorisë shoqëritë ‘Micro Credit Albania’ dhe ‘Final’ kanë ngritur skemë mashtrimi për të zhvatur qytetarët. Prokuroria thotë se MCA, Final dhe ADCA kanë përndjekur e u kanë ushtruar presion kredimarrësve.

Nga hetimet, rezultoi se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperte vlerësuese, duke pasur që në fillim të ushtrimit të aktivitetet të tyre (aktivitetit të  blerjes dhe mbledhjes së kredive të këqija) mendimin unik kriminal, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.

Shoqëritë dhe personat nën hetim në mënyrë abuzive kanë:

Përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj);

Përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e  debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet  telefona të vazhdueshme( dhe jo vetëm) me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive;

Përdorur gënjeshtrën që konsistonte në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore;

Sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor;

Kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; dhe

Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA,  pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande  fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.

Të gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer që po “ristrukturojnë të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat.

Si rrjedhojë shoqëritë MCA dhe Final kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në 10-tra milion Euro sipas mënyrës së sipërcituar, para  dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera.

Mashtrimi me mikrokreditë, Prokuroria jep 9 masa sigurie për administratorët e subjekteve dhe përmbaruesve

Lajm në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore