Shqipëria

Shuhen flakët në Dropull, vijon aksioni në Kakodhiq


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka bërë me dije se si paraqitet situata e zjarreve në vend, pas luftës me flakët për ditë të tëra.

Referuar njoftimit, deri më tani është bërë e mundur shuarja e zjarrit në Dropull.

“Pas një pune të pandërprerë forcat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit në bashkinë Dropull, ku situata po vazhdon të monitorohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi”, ka bërë me dije ministri.

Kurse në fshatin Kakodhiq në bashkinë e Delvinës po vijon aksioni për shuarjen e zjarrit.

“Në fshatin Kakodhiq në bashkinë e Delvinës po vijon aksioni me forcat e bashkisë, efektivët e Forcave të Armatosura, forca shtesë zjarrfikësish nga Berati, por edhe dy avionë PZL nga Greqia, për shuarjen e flakëve”.

Po ashtu po vijon edhe pranë liqeneve të Lurës në Dibër.

“Përsërisim thirrjen për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, në mënyrë që të shmangen ngjarje që dëmtojnë mjedisin dhe pasurinë tonë të përbashkët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore