Kosova

Babai ushtron dhunë ndaj djalit, pasi nuk vijoji mësimet online


Ilustrim: Dhuna ndaj të miturve

Një person dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tij, pasi që ky i fundit nuk i kishte ndjekur mësimet e lëndëve shkollore në versionin online.

Sipas Policisë së Kosovës, kjo ngjarje ka ndodhur në fshatin Komoran të komunës së Drenasit në Kosovë.

Në raportin e shkurtër të policisë nuk njoftohet më shumë për rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.

Përveç se thuhet që viktimës i është ofruar tretman mjekësor dhe pastaj ka zhvilluar një intervistë në prani të punëtorit të Qendrës për Punë Sociale, dhe avokatit mbrojtës.

Ndërsa, babai i viktimës, i dyshuari, ishte larguar nga shtëpia, por është zotuar të paraqitet në stacionin policor lidhur me rastin.

Ndryshe, Republika e Kosovës, ashtu si edhe shumë shtete të tjera në rajon dhe me gjerë, po praktikon mësimin e versionit online për shkak të numrit të madh të personave të infektuar me COVID-19.

Mësimi online është cilësohet si një sfidë e përbashkët në mes të prindit, nxënësit dhe mësuesit, pasi që përkushtimi nga të tri palët është i domosdoshëm për arritjen e qëllimit mësimor, sidomos kur bëhet fjale për moshat më të vogla, ato të nivelit parashkollor dhe klasave të para.

Lidhur me mësimin online, organizata të shumta kanë bërë reagimet dhe këshillimet e tyre karshi kësaj forme të mësimit.

Mes  tyre, edhe organizata e pavarur, “Centre for Political Courage (CPC)”, pati botuar fletushka me këshilla për mësimdhënësit dhe procesin e punës së tyre në versionin virtual.

Zgjedhja e një platforme ideale, identifikimi i nxënësve të cilët hasin në vështirësi, vendosja e afateve të shkurtra për përfundim të detyrave si dhe incizimi i ligjëratave, kanë qenë vetëm disa nga temat këshilluese që kjo organizatë, i ka publikuar duke etiketuar mësimdhënësit dhe ligjërimet e tyre të tipit online.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore