Shqipëria

Peleshi në Ministerialin e NATO-s: Shtojmë investimet për mbrojtjen, brenda 2030-ës me produkte në tregun ndërkombëtar


Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka marrë pjesë në Ministerialin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve të  NATO-s, të zhvilluar në Bruksel.

Gjatë këtij ministeriali u diskutuan çështjet më të mprehta të sigurisë dhe mbrojtjes në zonën Euro-Atlantike, të cilat do të përbëjnë edhe bazën e bisedimeve të Samitit të Uashingtonit, i cili pritet të mbahet në muajin korrik.

Ministri Peleshi, në fjalën e tij nënvizoi se Shqipëria vijon të ketë një angazhim serioz financiar ndaj Aleancës duke zyrtarizuar kontributin me 2.03 % të GDP.

Një pjesë e mirë e këtij kontributi do të investohet për modernizimin e Forcave të Armatosura në armatime dhe pajisje.

Ministri Peleshi njohu homologët me ambicien e Shqipërisë për të zhvilluar industrinë e mbrojtjes dhe planet që brenda vitit 2030 të hyjë në tregun ndërkombëtar me produktet “Made in Albania”.

Po ashtu, Peleshi u fokusua në situatën e mbrojtjes dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, të cilën e konsideroi të brishtë dhe jo të qëndrueshme.

Sipas ministrit Peleshi, Kuvendi i mbajtur në Beograd disa ditë më parë është shqetësues për narrativën lidhur me pretendimet territoriale të ngritur prej tij si dhe gjuhën e përdorur ndaj  aleatëve perëndimorë.

Ministri ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kosovës në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik si dhe kërkoi ekuilibër dhe trajtim realist të fakteve mbi dinamikat e sigurisë dhe zhvillimet e Mbrojtjes në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore