Kosova

Joseph u bashkohet kritikave të QUINT-it për shpronësimet në veri: A angazhohet dikush për mbrojtje të ligjit në Kosovë?


Edward Joseph

Edward Joseph, ligjërues në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), derisa komentoi mbi kritikat e adresuara nga partnerët e QUINT-it ndaj Qeverisë së Kosovës për shpronësimet e tokave në veri, konsideroi se është në interes të Kosovës të trajtojë serbët në bazë të ligjit.

Në deklaratën e QUINT-it rreth vendimit të qeverisë për shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të territorit kosovar, ndër të tjera thuhet se eksekutivi shkeli ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale e teknike gjatë procesit të shpronësimit të tokave në dy komunat në veri – Leposaviq dhe Zubin Potok.

“A mundet dikush në Kosovë të mbrojë parimin e thjeshtë se është në interesat strategjike të Kosovës të ndjekë ligjet e Kosovës dhe të trajtojë të gjithë qytetarët e Kosovës – përfshirë serbët e Kosovës – sipas ligjit?”, shkroi Joseph në një postim të fundit në platformën “X” të enjten.

SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe shprehën të enjten keqardhje që ekzekutivi nën drejtimin e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, nuk ka pritur që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të përfundonin para se të merrte vendim për shpronësimin e tokave në veri.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në dy komunat veriore në vitin 2023, ndërsa në bazë të vendimit paraprak, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe 33 hektarë në Zubin Potok. Por, në vendimin e 30 majit të qeverisë kosovare thuhej se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore