Lajme

Drejtori i gazetës Aktuality: Kam frikë se qeveria sllovake do të vendosë kufizime të reja ndaj shtypit dhe OJQ-ve


“Jam vërtet i tronditur, ajo që i ndodhi kryeministrit Fico është një sulm ndaj demokracisë dhe shtetit sllovak. Por tani kemi frikë se qeveria do të përdorë gjestin e çmendur të Cintula për të vendosur kufizime të mëtejshme ndaj shtypit të lirë dhe OJQ-ve, nuk mund ta imagjinoj se çfarë gjërash të tmerrshme na presin”.

Kështu ka thënë Peter Bardy, drejtori 47-vjeçar i Aktuality, faqes investigative për të cilën punonte dhe shkruante gazetari i ri Jan Kuciak, i vrarë bashkë me të dashurën e tij për hetimet e tij për korrupsion.

Pyetjes se pse një pjesë e konsiderueshme e mazhorancës aktuale fajëson gazetat dhe televizionet pas sulmit të së mërkurës, duke i akuzuar se kanë krijuar një klimë urrejtjeje rreth figurës së Ficos, ai i është përgjigjur duke thënë se është “një kombinim faktorësh”.

“Ata kanë frikë për veten e tyre dhe mund ta kuptoj duke qenë se ekipi im ka ndjerë të njëjtën ndjenjë gjashtë vjet më parë, pas vrasjes së Kuciak. Pastaj na urrejnë dhe e kam fjalën mbi të gjitha për Lubos Blaha, nënkryetarin e Smerit. Faktori i tretë: ata nuk pranojnë që vetëm personi i kapur nga policia të jetë përgjegjës për sulmin”.

Ndaj – sipas tij – pavarësisht nga graviteti i momentit, ata vazhdojnë me retorikë nxitëse kundër mediave, organizatave joqeveritare dhe mendimit liberal.

Sipas Bardy, askush nuk e di me siguri nëse ka një strategji politike specifike pas kësaj.

“Tashmë prioriteti i tyre është të vendosin se kush do të marrë përsipër ndërkohë që Fico është në spital. Ajo që ata do të bëjnë më pas është e vështirë të parashikohet. Kemi frikë nga kufizimet në shtyp dhe ndryshime të tjera negative për shoqërinë”.

Ai beson se e ardhmja e vendit të tij vendoset sot.

“Ne duam të ndërtojmë një shtet të lirë, në shërbim të qytetarëve të tij, një vend të sigurt për të jetuar. Ose do të ndjekim këtë rrugë, ose do të përfundojmë në rrugën ruse”.

Ai as nuk ma ta imagjinojë se çfarë mund të ndodh nëse e kundërta bëhet realitet.

“Unë shoh që pas dy raundeve të fundit zgjedhore, zgjedhjeve parlamentare në shtator 2023 dhe zgjedhjeve presidenciale muajin e kaluar, shumë nga miqtë e mi, shumë njerëz që e duan demokracinë dhe lirinë, kanë shkuar të jetojnë në Gjermani, Austri dhe Republikën Çeke”.

Ndërkohë, ai mendon se pas sulmit nuk ka një dorë ruse.

“Është e parakohshme të bëhen hipoteza dhe ekziston rreziku për të përfunduar në teori konspirative. Hetimet janë në fillim”.

Por kush është në të vërtetë Juraj Cintula, sipas tij?

“Një 71 vjeç nga një qytet i vogël jugor, Levice. Ai shkroi libra, në disa foli për nomadët me përbuzje. Ai ishte gjithashtu i afërt me organizatën paraushtarake pro-ruse Slovenski Branci. E kaluara, gjatë Çekosllovakisë komuniste para Revolucionit të Kadifenjtë, ende nuk është eksploruar. Ai ka dhe ka pasur shumë interesa të ndryshme, nuk është e lehtë të hartosh profilin e tij”.

Por pse e qëlloi Ficon?

“Ai e tha vetë në videon në stacionin policor, të qëlluar pas sulmit. Ai tha se ishte i pakënaqur me punën e qeverisë dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave, televizionit shtetëror dhe gjyqësorit”.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore