Kosova

Dënohen dhe dëbohen dy rusët e ndaluar në Veri


Dy shtetasit rusë, që janë ndaluar ditë më parë nga autoritetet e Kosovës për “kalim ilegal të kufirit” janë dënuar dhe më pas dëbuar nga Kosova.

Khusam Azam, 57 vjeç, profesor, dhe Elena Azam, 55 vjeçe, gjinekologe, janë dënuar me nga 250 euro, ka thënë një zyrtar i Gjykatës Themelore të Mitrovicës së Veriut për Radion Evropa e Lirë.

“Ata janë dënuar në bazë të nenit 140 të Kodit Penal të Kosovës. Është dënim prej 250 eurosh, ose me burgim prej gjashtë ditësh. Kjo është çështje ligjore dhe gjykata ka shqiptuar dënimin e përcaktuar në ligj”, tha një zyrtar i Gjykatës.

Policia e Kosovës, kishte bërë të ditur se personat e dyshuar kishin ardhur nga Nishi i Serbisë dhe kishin përfunduar në Jarinjë, teksa dyshimet për njëjtit ishin se kanë ardhur përmes rrugëve ilegale.

Ndryshe, të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.

Ky vendim është marrë nga viti 2022. Deri atëherë, qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare u është lejuar hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës pa vizë.

Rusia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Megjithatë dy vendet kanë marrëdhënie formale.

Zyra Ndërlidhëse ruse në Prishtinë është hapur qysh në vitin 2005, edhe pse veprimtaria e saj në publik është e shfaqur fare pak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore