Kosova

Zyrtarisht euro valuta e vetme për transaksione në Kosovë


Nga kjo e diele e 12 majit, euro do të jetë valuta e vetme për transaksione në Kosovë, meqë periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ka përfunduar.

“Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Ndërsa, bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në Veri.

Më 8 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi guverantori i BQK-së nuk i raporton atij, por Kuvendit të Kosovës, madje shtoi se “nuk mund t’i vendosem sipër guvernatorit”.

“Ai nuk më raporton mua, por Kuvendit, nuk mund t’i vendosem sipër guvernatorit. Ne duhet ta ruajmë Republikën tonë, ndarjen e pushteteve, që është thelbësore për demokracinë e vetë. Për çështje të cilat ka vendosur BQK dhe planet e zbatimit me faza e afate, përgjigjen ata”, tha Kurti gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndryshe, më 1 shkurt, në Kosovë pati hyrë në fuqi rregullorja e BQK-së që parashihte që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.

Ky vendim kishte rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.

Po ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e Rregullores, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për popullsinë në Veri.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petear Petkoviç, do të takohen të hënën e 13 majit për herë të shtatë në Bruksel për diskutuar për çështjen e dinarit mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së ndryshuar të BQK-së nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare ndaluan qarkullimin e dinarit në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore