Kosova

“Të mendojnë për sigurinë e tyre, jo për Ukrainën”, bisedat e hakëreve që kryen sulm kibernetik ndaj Kosovës – Maqedonci për AP: Përtej motivit të hakmarrjes pati qëllim destabizlimin


Foto: Albanian Post

Të hënën një grup hakerësh rusë të quajtur “Server Killers” kanë zhvilluar një sulm kibernetik kundër faqeve zyrtare të institucioneve të Kosovës, derisa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, një bisedë për Albanain Post ka thënë se sulmi kishte për qëllim de-stabilizimin e vendit.

“Vlerësoj që ky sulm përtej motivit hakmarrës ka synim inkurajimin e sulmeve kundër institucioneve të Kosovës me qëllim de-stablizimin e vendit tonë dhe regjionit në përgjithësi”, tha Maqedonci.

Ai ka theksuar se sulmet e tilla janë pjesë e luftës hibride që Federata Ruse i aplikon në vazhdimësi kundër shteteve dhe shoqërive që janë pjesë e koalicionit të gjerë të vendeve demokratike pjesë e grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq menjëherë pas sulmit kibernetikë, Maqedonci thotë se autoritetet përkatëse kanë ri-funksionalizuar platformat e sulmuara duke i bërë funksionale dhe të përdorshme për qytetarët.

“Institucionet publike dhe private si dhe qytetarët duhet të ngrisin nivelin e vigjilencës dhe vetëdijesimit për tu mbrojtur nga këto lloj kërcënimesh të kohëve moderne”, shtoi ai.

Në komunikimin e këtij grupi, bisedat e të cilëve i posedon Albanian Post, thuhet se sulmi bëhet duke marr shkas deklarimet e Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës në lidhje me mbështetjen politike të Republikës së Kosovës për Ukrainën si dhe mbështetjes ushtarake që Ministria e Mbrojtës dhe FSK po jep për ushtrinë ukrainase.

“Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës dhe të bashkojë përpjekjet kolektive për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Unë mendoj se ata duhet të mendojnë më shumë për sigurinë e faqes së tyre, dhe jo për Ukrainën”, thuhet në bisedat mes hakerëve rusë.

Bisedat e hakerëve rusë të quajtur “Server Killers”

Një sulm kibernetikë ndaj Kosovës kishte ndodhur edhe gjatë vitit 2022, ndërsa sulmi sipas Qeverisë së Kosovës – erdhi nga jashtë dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb-faqe të institucioneve.

Më 17 korrik 2022 edhe Shqipëria u goditë nga një sulm kibernetik i përmasa të mëdha, ku për arsye të sigurisë u mbyllën të gjithë adresat qeveritare dhe të tilla mbetën për disa ditë.

Ndryshe, gjatë muajit mars të këtij viti nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është inauguruar Qendra Trajnuese Shtetërore për Siguri Kibernetike që do të funksionoj në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe që ofron programe trajnimi për institucionet publike dhe private me qëllim që të rrisim qëndrueshmërinë shtetërore për tu përballur me rreziqe të tilla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore